Rikthehet protesta me kajak për mbrojtjen e Vjosës

++Jo diga në Vjosë, shpëtoni lumin e fundit të egër në Evropë ishtë apeli i protestuesve.++

Njoftim për shtyp nga EcoAlbania dhe Balkan River Defence

Tiranë më 10.09.2018. Të vendosur mbas një dige simbolike me kajakë, aktivistë të mjedisit, qytetarë dhe kajakistët e lumenjve të Ballkanit kanë protestuar kundër vendimit të qeverisë për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në lumin e Vjosës dhe kanë kërkuar shpalljen e Parkut Kombëtar të lumit të fundit të egër në Evropë. Më pas ata kanë marshuar drejt digës, duke e “shembur” atë.

Protestuesit pas digës me kajak. (c) K. Pokorn/ Balkan River Defence

Në Qershor 2018 Qeveria Shqiptare nënshkroi kontratën koncesionare për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivacit, duke i dhënë të drejtën Bashkimit të Përkohshëm të Shoqërive ‘Ayen Enerji’ dhe ‘Fusha’ për të ndërtuar hidrocentralin e Kalivaçit. “Jemi të vendosur ta kundërshtojmë këtë projekt fuqimisht, për të mirën e natyrës dhe komuniteteve që jetojnë përgjatë lumit”, tha Olsi Nika nga EcoAlbania. Ky është vetëm 1 nga 38 HEC-et e planifikuara në luginën e Vjosës “Aktualisht koncesione te tjera vijojnë të jepen me shpejtësi në degë të Vjosës, me të fundit në Shushicë e Bënçë, ku banorët nuk janë bërë pjesë e konsultime publike” shtoi ai.

Rezistenca për mbrojtjen e Zemres Blu te Evropës mbështëtet dhe nga aktivistët e Turit të Lumenjve të Ballkanit të cilët janë rikthyer sërish në Vjosë. Turi i tretë filloi aty ku i pari përfundoi tre vite më parë: në Vjosë. “Ne do udhëtojmë nëpër Ballkan për 31 ditë për të treguar respekt dhe mbështetje ndaj komuniteteve dhe organizatave që po mbrojnë me guxim lumenjtë e tyre. Këto lumenj janë perla të vërteta dhe është frymëzuese të shikosh se si njerëz nga e gjithë bota po bashkojnë forcat dhe po “thyejnë” kufinjtë mes shteteve për një qëllim të përbashkët: mbrojtjen e copëzave të fundit të Europës së egër “tha Rok Rozman, biologu dhe kampioni olimpik nga Sllovenia.

Protestuesit shembën digën simbolike me kajak. (c) K. Pokorn/ Balkan River Defence

Turi i Lumenjve të Ballkanit (BRT) filloi si një ide e çmendur dhe u shndërrua në aksionin më të madh të drejtpërdrejtë të mbrojtjes së lumenjve në Evropë. Kur ish sportisti Olimpik, kajakeri dhe biologu Rok Rozman filloi turneun në vitin 2016, qëllimi i tij ishte i thjeshtë: argëtimi duke lundruar me kajakë në lumenjtë e Ballkanit dhe ekspozimi i shkatërrimeve që hidrocentralet po shkaktojnë në rajon. Pas mbulimit mediatik ndërkombëtar të gjerë dhe protestave në Ballkan gjatë turit të parë, BRT u kthye në një tur kajaku dhe protestash të përvitshme ku të gjithë janë të mirëpritur të bashkohen për të udhëtuar dhe vozitur në Ballkan, duke zbuluar lumenjtë e egër magjepsës dhe natyrën e egër të paprekur të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë dhe Sllovenisë. Përdorimi i kajakëve të rrjedhave të rrëmbyeshme si një mjet për të vënë në qendër të vëmendjes lumenjtë e panjohur që po shkatërrohen nga digat e mëdha dhe të vogla, BRT tërheq vëmendjen e vendimmarrësve, pastaj e kalon megafonin tek banorët lokalë, të cilët kërkojnë që lumenjtë e tyre të mbeten të egër, të mbrojtur dhe të lirë.

Gjatë protestës në Tiranë. (c) K. Pokorn/ Balkan River Defence