Rihapja e koncensionit të Kalivaçit shuan shpresat për një Vjosë pa hidrocentrale

Qeveria shqiptare ka anuluar punimet e hidrocentralit të Kalivaçit nga kompania Kalivaçi Green Energy e biznesmenit italian Becchetti, megjithatë Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka nisur menjëherë procedurat për gjetjen e një investitori të ri në Kalivaç.

Lumi i fundit i egër në Europë, Vjosa, po rrjedh aktualisht i lirë nga HEC-et të paktën për disa muaj, pasi qeveria shqiptare vendosi anulimin e kontratës për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit nga kompania italiane Kalivaçi Green Energy.

Pas 20 vjetësh zvarritje dhe ndërprerje punimesh, që nga dhënia e lejes për hidrocentralin e Kalivaçit në vitin 1997, punimet kanë ndaluar në masën 30 për qind, ku lumi i Vjosës mbetet i paprekur.

Diga e papërfunduar e Kalivaçit. (c) R. Dorozhani


Kjo i ka dhënë banorëve të zonës dhe organizatave të mbrojtjes së lumenjve në Shqipëri dhe Europë shpresën për kthimin e Vjosës në Park Kombëtar, një premtim ky gjithashtu i kryeministri Edi Rama.


“Anulimi i kontratës ekzistuese e bën Vjosën ligjërisht të lirë nga HEC-et dhe ofron një mundësi të artë për të shpallur Vjosën si Parku u parë i një Lumi të Egër në Europë” tha Olsi Nika, koordinatori i fushatës për mbrojtjen e Vjosës në Shqipëri pranë EcoAlbania.

Megjithatë, Ministria e Energjisë dhe Industrisë hapi më 26 maj procedurat për një koncension të ri të Kalivaçit duke i lënë kohë kompanive deri më 18 korrik 2017 për t’u futur në lojë.

Kontrata parashikon “ndërtimin e hidrocentralit të tipit me dige, në afërsi të fshatit Kalivaç, rrjedhën e poshtme të Lumit Vjosë” ndërsa kohëzgjatja e koncensionit është 35 vjet.

“Qeveria ka vendosur të hapë procedurën e koncesionit, në kundërshtim me vullnetin e pushtetit vendor dhe komunitetit, aktorëve kombëtar dhe ndërkombëtar. Ne do ta kundërshtojmë fuqimisht këtë projekt dhe do të vazhdojmë betejën për Vjosën e lirë, pa diga!”, shtoi Nika.

Kalivaçi hapi në vitin 1997 kalvarin e hidrocentraleve në lumin Vjosë, të cilin shkencëtarët shqiptarë dhe ndërkombëtarë e vlerësojnë si të pasur me biodiversitet dhe si të domosdoshëm për t’u mbrojtur dhe për t’u zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme.

Artikullin e plotë mund ta gjeni të publikuar nga: