Reporter.al: Studiuesit kërkojnë moratorium kundër HEC-eve në lumin Vjosë

Nga Ivana Dervishi / BIRN

Studiues shqiptarë dhe të huaj diskutuan për pasurinë unike të biodiversitetit të lumit Vjosë dhe i kërkuan qeverisë Shqiptare një moratorium 3-vjeçar të përdorimit të tij për hidroenergji.

Shkenctarët firmosin kërkesën për ndalimin e HEC-eve në Vjosë. (c) I. Dervishi

Rreth 50 profesorë dhe studiues nënshkruan të mërkurën një kërkesë drejtuar Ministrisë së Mjedisit në Shqipëri për zbatimin e një moratoriumi 3-vjeçar mbi ndërtimet në lumin Vjosë dhe degët e saj.

Të mbledhur në kuadër të konferencës shkencore “Vjosa: një mundësi e veçantë për Shkencën Lumore Europiane”, studiues shqiptarë, gjermanë dhe austriakë të fushave të ndryshme prezantuan kërkimet e tyre mbi biodiversitetin e luginës së Vjosës dhe bënë thirrje për mbrojtjen e zonës.

Ata kërkuan që autoritetet t’i japin kohë ekspertëve të bëjnë vlerësime të hollësishme mbi strukturën dhe dinamikën hidrologjike, sedimentologjike dhe ekologjike, si dhe që Shqipëria të angazhohet në programet rajonale të BE-së për zhvillimin e qëndrueshëm.

Profesoresha Elda Marku nga Departamenti i Kimisë në Universitetin e Tiranës theksoi mungesën e studimeve të detajuara nga aspekti kimik për lumin Vjosë dhe bëri thirrje për më tepër hulumtime.

“Ndotja kimike në Vjosë nuk është e mundur të kuptohet në shkallë reale sepse të dhënat mungojnë. Një raport mbi cilësinë e lumenjve në Shqipëri në vitin 2014-2015 nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk e ka përfshirë Vjosën”, tha ajo në konferencë.

Studiuesit shqiptarë diskutuan mbi aspektet gjeografike, biologjike, ekologjike të lumit Vjosë ndërsa kolegët e tyre nga Universiteti i Vjenës dhe Berlini analizuan menaxhimin e lumenjve dhe ndanë përvojën e tyre në ruajtjen e ekosistemeve lumore.

Profesori Spase Shumka nga Departamenti i Shkencave Natyrore të Universitetit Bujqësor të Tiranës shprehu gjithashtu keqardhje për mungesën e studimeve mbi biodiversitetin e Vjosës.


“Vjosa ka një shumëllojshmëri speciesh, disa prej tyre mjaft të veçanta, të cilat do të zhduken nëse lejojmë shkatërrimin e lumit. Humbja e Vjosës nënkupton edhe humbje të parkut  Bredhi i Hotovës, pasi ajo shërben si burim për gjallesat”, tha Shumka.

“Hidroenergjia është një nga pesë kërcënimet kryesore që i kanosen Vjosës. Nga kërkimet tona kemi vërejtur se 90 për qind e specieve po jetojnë nga 2 deri në 6 vjet, kjo është më pak se jetëgjatësia normale e tyre dhe vjen kryesisht prej HEC-eve”, përfundoi profesori.

Konferenca e organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Shqipëri, Universiteti i Vjenës në Austri dhe Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë është pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të mbrojtur rrjedhën 270 kilometra të lumit Vjosë.

Artikullin e plotë të publikuar nga Reporter.al mund ta gjeni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *