Punët e gjelbra: qasja e të rinjve ndaj zhvillimit të qëndrueshëm

EcoAlbania nisi zbatimin e projektit “Nxitja e sipërmarrjes së gjelbër tek të rinjtë e shkollave të mesme” në kuadër të promovimit të Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm. Nxënësit e shkollave të mesme profesionale do të informohen mbi OZhQ-të, ekzistencën e “punëve të gjelbra” dhe mundësitë e zhvillimit të profesioneve të tyre duke mbetur miqësorë me mjedisin.

Gjatë muajit shkurt u zhvilluan tre ditë mësimore në tre shkolla të mesme profesionale në qarkun Tiranë dhe Durrës. Orët e mësimit u mbajtën me nxënësit e maturës të degëve Hoteleri-Turizëm në shkollën “Hysen Çela”, Durrës; Mekanikë në shkollën “26 Marsi”, Kavajë; dhe Teknologji Informacioni në shkollën “Gjergj Canco”, Tiranë. Ata u njohën me 17 Objektivat e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm (OZhQ). Ndër tematikat që u diskutuan me profesionistët e rinj ishin: të rinjtë si sipërmarrës të ardhshëm, krijimi vendeve të reja të punës, koncepti i “punëve të gjelbra” dhe mundësia e aplikimit të tyre në Shqipëri. Nxënësit patën mundësi të shkëmbenin informacion dhe të drejtonin pyetje për të qartësuar njohuritë e tyre.

Maturantët e shkollave “Gjergj Canco” dhe “26 Marsi” u njohën në veçanti me objektivin nr. 11 “Qytete dhe komunitete të qëndrueshme”, si dhe me objektivin nr. 8 “Punë dinjitoze dhe rritje ekonomike”. Ndërtimi i qyteteve dhe vendbanimeve gjithëpërfshirës, të parrezikshëm, rezistentë dhe të qëndrueshëm ishin në qendër të diskutimit. Nxënësit sollën qasje të reja për krijimin e këtyre qyteteve. Trajnuesi nga EcoAlbania u shpjegoi se si këto qasje mund të kthehen në ide biznesi që paraqesin risi duke siguruar punësim si për ata, ashtu edhe për të rinj të tjerë.

Pranë shkollës “Hysen Çela” u zhvillua një orë mësimi interaktive. Nxënësit u njohën më gjatë me objektivin nr. 14 “Jeta nën ujë”, si dhe objektivin nr. 8 “Punë dinjitoze dhe rritje ekonomike”. Ruajtja dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve detare është parë si një element i rëndësishëm për t’u ndarë me ta duke qenë një komunitet që banon pranë bregdetit. U diskutua se si peshkimi, menaxhimi qëndrueshëm i ekosistemeve detare dhe përdorimi i produkteve të detit për gatim në sektorin turistik, me synim reduktimin e humbjeve ushqimore mund të sjellë krijimin e vendeve të reja të punës duke përkrahur kulturën dhe produktet vendase. Gjithashtu, profesionistët e rinj treguan metodat inovative që përdorin për modifikimin e kulinarisë tradicionale dhe u informuan nga trajnuesi mbi mundësitë e krijimit të një biznesi që zbaton këto risi.

Ky është vetëm cikli i parë i orëve mësimore që do të zhvillohen në kuadër të këtij projekti. EcoAlbania do të punojë në vazhdim me këta të rinj me qëllim edukimin dhe informimin e tyre mbi modelet e “punëve të gjelbra”, zhvillimin e një ideje biznesi, si dhe krijimin e modeleve të “sipërmarrjes së gjelbër”.

Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), njësi operative e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, mbështet programin SEEDLING që zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC).

Ky projekt zbatohet nga EcoAlbania dhe mbështetet financiarisht nga REC në kuadër të projektit SEEDLING.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *