Peticion online: Vjosa Park Kombëtar, e vetmja mënyrë për të mbrojtur Vjosën.

Lumi i fundit i egër në Evropë është në rrezik dhe statusi “Park Kombëtar” është i vetmi nivel mbrojtjeje që mund ta shpëtojë. Pas një dekade përpjekjesh për të mbrojtur lumin Vjosa, mbështetësit e kauzës po mblidhen për t’i kërkuar Kryeministrit të Shqipërisë, shpalljen e Vjosës Park Kombëtar, sa më parë. Firmos peticionin dhe ndaje me miqtë, në mënyrë që të bashkohen sa më shumë njerëz në këtë përpjekje, për të mbrojtur atë që natyra ka krijuar në mijëra vite.

Si mund ta mbrojmë Vjosën?

Statusi Park Natyror nuk mjafton. Në vitin 2020, Vjosa u propozua për t’u shpallur Park Natyror por kjo nuk mjafton për ta mbrojtur atë përfundimisht. Ky status krijon mundësi që kompani të ndryshme të fillojnë kërkimet për naftë pranë Vjosës ose të ndërtojnë hidrocentrale në degët e saj.

Park Kombëtar ose Vjosa është e pambrojtur. Statusi Park Kombëtar është një standard ndërkombëtar për mbrojtjen e natyrës dhe i vetmi status që mund t’i ndalojë bizneset dhe qeveritë e ardhshme të dëmtojnë lumin dhe degët e tij, të cilat ende rrjedhin të lirë.

Cilat janë të mirat e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar?

  • Shqipëria do të kishte Parkun e parë Kombëtar të një lumi të egër në Evropë, i cili do të tërheqë rreth 1.5 milionë vizitorë dhe mund të gjenerojë 10-30 milionë Euro të ardhura çdo vit.
  • Rritja e turizmit lokal dhe ndërkombëtar. Parqet Kombëtare tërheqin 20% më shumë vizitorë se çdo lloj parku tjetër.
  • Rritja e punësimit: Bazuar nga të dhënat prej Parqeve të tjera Kombëtare në Ballkan, për çdo vend pune në një Park Kombëtar, krijohen 6 vende të tjera puna në komunitetet përreth.
  • Zhvillimi i Ekoturizmit që lejon Shqiptarët të shijojnë lumin Vjosa dhe natyrën rreth tij, pa i dëmtuar, duke ruajtur kështu trashëgiminë kulturore dhe jetesën e ndërtuar përreth Vjosës.
  • Do të shpëtojmë lumin e fundit të egër në Evropë. Vjosa është habitat për 1,100 specie, pjesë e të cilave janë edhe specie në rrezik zhdukje.

Cilat janë hapat e mëtejshme? Na duhen sa më shumë firma për ta paraqitur këtë peticion tek Kryeministri i Shqipërisë. Firmose dhe ndaje në rrjetet sociale me miqtë, në mënyrë që të tregojmë se sa njerëz duan ta mbrojnë Vjosën, përgjithmonë.