Përmbyllet seria e workshopeve me gazetarë dhe organizata mjedisore në 5 qarqe të vendit

++Raportimi i çështjeve mjedisore në median lokale dhe kombëtare ishte tema kryesore e këtyre workshop-eve++

Një seri workshopesh janë organizuar nga EcoAlbania në 5 qarqe të vendit me fokus raportimin e çeshtjeve mjedisore në median kombëtare dhe lokale. Gjatë takimeve të organizuara në periudhën Mars – Qershor 2019 është prezantuar draft – studimi “Media dhe çështjet mjedisore në Shqipëri”, i cili analizon 5 problematika të rëndësishme mjedisore, duke u përqendruar në kontributin e medias në raportimin dhe zgjidhjen e tyre. Gjetjet janë diskutuar me gazetarë dhe OShC mjedisore lokale në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe Kukësit të cilët, kanë shprehur shqetësimet mbi problematikat që prekin zonën e tyre duke kontribuar kështu në pasurimin e tij nëpërmjet rekomandimeve konkrete.

Gjatë workshop-it me gazetarë dhe organizata mjedisore në Tiranë. (c) B.Guri / EcoAlbania

Draft-studimi adreson nivelin e ulët të raportimit mediatik mbi përdorimin e paqëndrueshëm të shërbimeve të ekosistemit, duke theksuar faktin se raportimi i problemeve mjedisore është jo periodik, sporadik dhe jo analizues. Nga ana tjetër nxjerr në pah nevojën për përmirësimin e raportimit mjedisor në Shqipëri lidhur si dhe rritjes së bashkëpunimit midis organizatave mjedisore dhe gazetarëve lokalë.  

Gjatë workshop-it me gazetarë dhe organizata mjedisore në Vlorë. (c) V. Kabili / EcoAlbania

Ekspertë të gazetarisë investigative dhe ekspertë për të drejtën e mjedisit dhe energjinë, kanë trajtuar gjatë workshopeve tema mbi teknikat e gazetarisë investigative të sukseshme, rëndësinë e lajmit mjedisor në redaksitë shqiptare, hulumtimin dhe njohjen e legjislacionit mjedisor, si dhe çështje të problematikave mjedisore dhe medias në Evropë, politikat dhe legjislacionin ndërkombëtar mjedisor, duke krahasuar situatën e Shqipërisë me BE-në dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Gjatë workshop-it me gazetarë dhe organizata mjedisore në Kukës. (c) V. Kabili / EcoAlbania

Shqetësimet e ngritura nga gazetarët lokalë mbi problematikat e raportimit për çështjet mjedisore lidhen me mungesën e ekspertizës dhe kapacitieteve të gazetarëve për ndjekjen dhe investigimin e çështjeve mjedisore dhe mungesën e rrjeteve të gazetarëve që merren në mënyrë të dedikuar me çështjet e mjedisit, e cila nuk favorizon komunikimin e vazhdueshëm midis organizatave mjedisore, aktivistëve dhe medias/gazetarëve.

Gjatë workshop-it me gazetarë dhe organizata mjedisore në Elbasan. (c) B. Guri / EcoAlbania

Nga ana tjetër ata ngrenë shqetësimin se puna e gazetarëve shpeshherë është objekt i censurimit nga ndikimi i bizneseve, influencave politike ose nga përfshirja e pronarëve të medias në veprimtari ekonomike që në shumë raste konsistojnë në shfrytëzimin e burimeve natyrore. Për më tepër mungesa e bashkëpunimit midis gazetarëve dhe institucioneve publike lidhur me ofrimin e informacioneve mbi gjendjen e mjedisit dhe problematika specifike mjedisore bëhet pengesë për raportimin e plotë të një çështjeje të caktuar mjedisore.

Gjatë workshop-it me gazetarë dhe organizata mjedisore në Fier. (c) B. Guri / EcoAlbania

Pas përfundimit të serisë së workshopeve tematike, në shtator 2019 EcoAlbania do të organizojë në Tiranë konferencën me gazetarë, organizata kombëtare mjedisore dhe të gazetarisë/ medias për prezantimin e studimit përfundimtar “Media dhe çështjet mjedisore në Shqipëri”.

Me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.