OraNews: HEC-i i Poçemit, ambasadori zviceran: Të dëgjohen edhe banorë

Në një takim të hapur të organizuar nga EcoAlbania në fshatin Kutë, të bashkisë Mallakastër, Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, z. Christoph Graf, shefi i zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, z. Claus Neukirch si dhe eksperti për çështje të demokracisë direkte, z. Andreas Gross, së bashku me kryetarin e Bashkisë ,z. Agron Kapllanaj, u interesuan për nismën e ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare për ndërtimin e HEC- Poçem.


Gjatë bashkëbisedimit me diplomatët, qytetarët e pranishëm u shprehën kundër ndërtimit të hidrocentralit. Sipas tyre ndërtimi i tij mund të shkaktojë përmbytjen e sipërfaqes së tokës bujqësore që ata disponojnë e që është mjeti kryesor i jetesës për ta. “Toka bujqësore është e vetmja pasuri me të cilën ne mund të ushqejmë familjet tona” – thanë banorët.


“Ne si pushtet vendor nuk jemi njoftuar asnjëherë zyrtarisht lidhur me ndërtimin e HEC-it të Poçemit. Ajo çfarë kemi bërë deri tani është se kemi përcjellë zyrtarisht te qeveria qendrore në Tiranë shqetësimin e komunitetit, por ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje” ka pohuar edhe kryetari i Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj.


Ambasadori i Zvicrës i bën thirrje qeverisë të informojë dhe dëgjojë banorët e prekur nga hidrocentrali i Poçemit. Në fjalën e tij Ambasadori Graff është shprehur se është befasuar me faktin se banorët nuk kanë asnjë informacion për HEC-in e Poçemit dhe i ka inkurajuar ata që të përdorin mjetet demokratike në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet.


Kronikë e publikuar nga OraNews.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *