Një metodologji e re shkencore për vlerësimin pasuror të krimeve mjedisore propozohet nga ekspertët dhe shoqëria civile

Tiranë 4 shkurt 2020. Prezantohet nisma më e fundit EcoAlbania-s për hartimin e metodologjisë për vlerësimin pasuror të krimit mjedisor në zonat e mbrojtura në Shqipëri. Raporti paraqet gjendjen aktuale të vlerësimit pasuror të prerjes së palig­jshme të pyjeve, duke marrë në konsid­eratë një rast studimor në ZM Mali me Gropa Bizë-Martanesh. Me anë të këtij rasti studi­mor synohet të nxitet nisja e dialogut për mbledhjen e të dhënave dhe njohurive të sakta në lidhje me vlerësimin pasuror lidhur me krimin mjedisor në Shqipëri.

Në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe si rezultat i disa detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocijimit, Shqipëria ka bërë hapa përpara në përafrimin e kuadrit ligjor dhe institucional me atë të BE-së. Përmirësimi i kodit penal dhe ligjeve sektoriale kombëtare me synim përafrimin me ligjet e BE-së, e bën të domosdoshme reflektimin e e frymës së ligjit edhe në zhvilimin e metodologjive për vlerësimin pasuror të veprave penale përkatëse. “Duke vlerësuar shumë të thjeshtëzuar metodën aktuale dhe nevojën për futjen e elementëve të tjerë të rendësishëm mjedisor si, vlerat e biodiversitetit, vlerat estetike, apo edhe kostot operacionale e administrative, kemi ndërmarrë këtë nismë për t’i ardhur në ndihmë institucioneve përkatëse, të cilat merren me krimin mjedisor dhe për të nxitur vlerësimin sa më të drejtë të dëmit të ardhur si pasoje e krimit mjedisor”, tha Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania.

Gjatë prezantimit të metodologjisë së propozuar nga studimi: Vlerësimi pasuror i krimeve mjedisore në Shqipëri. (c) B. Guri / EcoAlbania

Informacionet për dëmin e shkaktuar nga prerjet e paligjshme në pyje dhe zonat e mbrojtura në vendin tonë janë të pakta ose më së shumti mungojnë. Megjithatë sipas Raportit të Prokurorit të Përgjithshëm, gjatë vitit 2018 krimet mjedisore zënë vetëm 0.78% të krimeve totale të kryera në rang vendi. Në vlerë sasiore krimet mjedisore ishin 247 raste të regjistruara ku 57.8% e përbëjnë krimet në pyje dhe prerjet e paligjshme. Në këtë kontekst vlerësimi pasuror i dëmit mjedisor është i rëndësishëm edhe nga këndvështrimi vetëm i kompensimit të dëmit.  “Ky është një hap i rëndësishëm i shoqërisë civile, të cilin ne jemi të lumtur ta mbështesim”, tha Stine Klapper, Drejtoreshë Ekzekutive e FES – Tiranë, fondacioni gjerman Friedrich Edbert Stiftung.

Edhe në vendet e Bashkimit Evropian ende nuk ka një metodologji të gjithë-pranuar nga të gjithë shtetet. Për më tepër, mungesa e të dhënave të sakta sasiore dhe cilësore e bën të vështirë zhvillimin e një metodologjie të gjithë pranueshme për krimin mjedisor duke marrë parasysh natyrën e ndryshme të veprave që përbëjnë krim mjedisor.

Megjithatë, studimi i propozuar nga EcoAlbania mund të shërbejë si një nxitës i debatit edhe në këtë pikë për të bërë të mundur përsosjen e praktikave të ndjekura deri tani në këtë drejtim ose edhe adoptimin e këtij modeli për të draftuar metodologji që do të shërbenin për vlerësimin pasuror të dëmeve të shkaktuara nga krime mjedisore të natyrave të tjera në të ardhmen.