Muzikë për lumenj të lirë pa diga në koncertin për Lumenjtë e Ballkanit në Sarajevë

++Eda Zari u jep zë lumenjve shqiptar dhe aktivistëve++

Sarajevë, 30 shtator 2018. Qindra njerëz ngritën zërin në mbrojtje të lumenjvë të Ballkanit në një koncert të hapur të mbajtur në Sarajevë të dielën më 30 shtator. Ata kënduan me këngëtarë të mirënjohur si Eda Zari, Rambo Amadeus (Mali i Zi), Tamara Obrovac (Kroaci) dhe Damir Imamovic (Bosnie-Hercegovinë).

Artistja shqiptare Eda Zari ndezi skenën me zërin e saj brilant dhe me mesazhet pro natyrës dhe lumenjve të lirë “Sonte po sjellim këtu zërin e gjithë artistëve shqiptar, popullit shqiptar dhe aktivitstëve të cilët prej vitesh po protestojnë dhe luftojnë kundër shatërrimit të lumenjve si Vjosa dhe Valbona” shprehet ajo.

Një javë më parë artistët Elina Duni, Eda Zari, Linda Rukaj, Rhani Krija, Vlashent Sata, Emiljano Dhimo, Shpat Deda, Gert Kapo, Henning Jung, Kleidi Eski, Sokol Çunga, Mikaela Minga, bashkëpunuan për të realizuar këngën dhe videon “Lum Lumi i Lirë“ në mbështetje të kauzës për mbrojtjen e Vjosës dhe Valbonës nga ndërtimi i hidrocentraleve pa kriter dhe për ruajtjen e këtyre përlave të natyrës shqiptare për brezat e ardhshëm.

Koncerti për lumenjtë e Ballkanit u organizua në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” dhe shënoi edhe mbylljen e Samitit të Lumenjve të Evropës që u mbajt në Sarajevë më 27-29 shtator 2018, ku morën pjesë më shumë së 200 aktivistë, shkencëtarë dhe lumenj-dashës nga e gjithë Bota dhe ndanë eksperiencat e tyre frymëzuese në përpjekjet për të shpëtuar lumenjtë në vendet e tyre.