Miqtë Evropian të Vjosës

Qyteti i vogël Wiek, në Rügen Gjermani ishte vendi që mblodhi bashkë 29 të rinj nga 11 shtete të botës. Nga data 20-28 mars 2015 të rinjtë morën pjesë në “Trajnimin për trajnerët e rinj mjedisor” e organizuar nga YEE (Youth and Environment Europe) dhe FӦJ (Voluntary Ecological Year) me mbështetjen dhe financimin e programit Erasmus+.

Pjesëmarrësit ishin me eksperienca të ndryshme në ruajtjen dhe mbrojtjen e natyrës në vendet ku ata punojë e jetojnë. Unë pata fatin të jem një nga të rinjtë pjesëmarrës, si përfaqësuese e EcoAlbania, që u trajnuan mbi metodat e edukimit mjedisor. Metodat jo formale të trajnimit ishin shumë efektive për sa i përket lehtësisë në të kuptuar dhe për tu praktikuar në jetën e përditshme.

Eko trainerët. (c) OZ Osborng

Metodat e përdoruara gjatë trainimit ishin të tilla si: Të mësojmë duke mësuar, metoda joformale, metodat dhe hapat e shkrimit të një projekti, mënyrat e komunikimit duke përdorur gjuhën e shenjave dhe vokale, si të zgjidhim situata kur kemi të bëjmë me sjellje sfiduese, metodat e edukimit mjedisor, motivimi, aftësitësitë e lidershipit, puna në grup, etj.

Çdo ditë e trainimit ishte ideauar në mënyrë të tillë që secili prej pjesëmarrësve të kishte mundësinë të shfaqte krijimtarinë e tij dhe në të njejtën kohë të pergatitej për fazën finale e cila do të kulmonte me prezantimin e një workshopi. Në jo më tepër se 40 minuta ne duhej të përmblidhnim metodat e mësuara, sipas mënyrës tonë. Dy nga pjesëmareset Natia nga Gjeorgjia dhe Lena nga Gjermania zgjodhën të punojnë për digën gjigande në Gjeorgji…Çfarë rastësie e njejta situatë me lumin Vjosa në Shqipëri! Por, unë vazhdoj ta mbaj për vete këtë informacion edhe për pak kohë…

Në fund të kësaj dite të mbushur me tension, emocione dhe lojëra të ndryshme, i kërkova pjesëmarrësve nëse ishin të interesuar të shihnin një video të shkurtër për lumin e vetëm të egër të Evropës. Interesimi i tyre ishte i madh. Salla e trajnimeve tani ishte shndërruar në një kinema, ku të gjithë prisnin me kureshtje të shikonin pamjet përgjatë lumit Vjosa. Filmi i shkurtër “Perla e egër e Evropës”, mbushi çdo hapësirë boshe të sallës. Ata nuk e besonin që pamjet ishin reale dhe se ishin në Shqipëri, një vend i vogël në Ballkanin Jug-Perëndimor…Të gjithë shfaqën dëshirë të madhe për të ardhur dhe për ta vizituar nga afër këtë lumë, për të praktikuar rafting, kanoe, hiking, birdwatching, si dhe për ujrat me veti kuruese të Banjave të Bënjës. Pasi filmi përfundoi, i njoha me situatën reale, me kërcënimet që i kanosen këtij lumi të egër të Europës dhe mbi të gjitha me fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”. Pyetjet ishin të shumta, por interesi më i madh ishte mbi punën që po bën EcoAlbania, së bashku me partnerët ndërkombëtar Riverwatch dhe EuroNatur për të ndaluar shkatërrimin e këtij thesari të çmuar. Unë pata kënaqësinë t’i njoh me të gjitha hapat që kemi ndërmarrë në këtë drejtim, si: takimet me komunitetin lokal, konferencat për shtyp, pasqyrimin e çështjes në median kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe nënshkrimi i deklaratës “Vjosa Park Kombëtar”.

Gjatë aktiviteteve në natyrë. (c) L. Cernov

Eco-trainerët e rinj të Europës u bënë të parët që nënshkruan deklaratën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” në nivel ndërkombëtar dhe më siguruan për mbështetjen e tyre në pasqyrimin e situatës edhe në organizatat ku ata punojnë dhe jo vetëm. Njëra nga pjesëmarrëset Linda Mazumacha, nga Letonia, në zarfin personal të përshtypjeve më kërkon të mos ndalemi dhe të vazhdojmë këtë fushatë edhe me më shumë energji, duke na uruar fat në rrugën për ruajten e Vjosës.

Jam shumë e lumtur që edhe unë dhashë kontributin tim në ruajtjen e Lumit Vjosa, një pasuri kombëtare dhe shpirtërore, trashëgimi natyrore për ne, për brezat e ardhshëm dhe për dashamirësit e natyrës anë e mbanë globit. Ata e duan natyrën të bukur jo muret e gurit…Berlini e shembi murin e tij, atë mur që ndante njërëz e jetë, po ne pse duhet të ndërtojmë mure pa fund që krahas të tjerash do ndajnë edhe jetën e shume organizmave të gjallë e veçanërisht të peshqve dhe e ngjalave?

Eco-trainerët e thanë fjalën e tyre kundër digave…PO TI?

Nga Earta Nuna/ EcoAlbania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *