Miqtë e Vjosës

Në kuadër të fushatës  mbarëballkanike ”Të shpëtojmë zemrën blu të Europës”, EcoAlbania ka ndërmarrë nismën e radhës,  iniciativa “Miqtë e Vjosës”. Qëllimi i kësaj iniciative është të bëjë bashkë specialist të fushës mjedisore, personalitete të ndryshëm të politikës, përfaqësues të organizatave mjedisore, student, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe dashamirës të natyrës, për të diskutuar mbi nismat e marra deri tani si dhe për hapat e rradhës që secili mund të marrë, për të mbrojtur këtë thesar të natyrës shqiptare.

Në kuadër të kësaj nisme janë organizuar katër takime ku në çdo takim janë shtuar miq të rinj të Vjosës, nga fusha të ndryshme profesionale. Në këto takime kanë marrë pjesë dhe figura të njohura të jetës artistike, politike, mediatike  etj.

Gjatë këtyre takimeve pjesëmarrësit kanë ndarë përjetimet dhe eksperiencat e tyre që lidhen ngushtë me fëmijërinë, me jetesën pranë lumit si dhe frikën se çdo kujtim i tyre mund të zhduket si rezultat i politikave te gabuara dhe dëmtimeve që po i bëhen Vjosës, gjë që do të çojë në mënyrë të pashmangshme në varfërimin dhe përkeqësimin e jetesës së banorëve të luginës .

Miqtë e Vjosës janë shprehur të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre për të mbrojtur lumin e fundit të “egër” të Evropës, si një pasuri natyrore dhe shpirtërore për to dhe për brezat e ardhshëm. Gjatë takimeve të “Miqve të Vjosës” janë trajtuar problematika të ndryshme që lidhen me lumin Vjosa, si problemi devijimit nga pala greke, kërcënimi nga hidrocentralet si dhe janë parashtruar mundësi për zgjidhjen e këtij problemi.

Shumë nga pjesëmarrësit kanë marrë përsipër përgjegjësi dhe i kanë realizuar ato. Përmendim këtu fjalimin e deputetit Besnik Bare në Parlamentin e Shqipërisë, reportazhet e gazetarit Ben Andoni, intervistën e Diana Culit me Vera Bekteshin, kronikat e Ani Rucit etj.

Këto pasdite çaji kanë mbledhur miq të Vjosës dhe mbi të gjitha kanë nxitur reagimet e shoqërisë dhe ndërgjegjësimin e një publiku më të gjerë lidhur me këtë çështjeje të nxehtë të mjedisit në Shqipëri. Takimet e “Miqve e Vjosës” do të organizohen periodikisht dhe kanë si synim zgjerimin e këtij rrjeti dhe nxitjen e ndërgjegjësimit publik mbi çështjen e ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Vjosa.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *