Mbrojtja dhe advokimi për mjedisin, gati platforma për rrjetëzimin e organizatave 

Drejtori Ekzekutiv i EcoAlbania, Olsi Nika, ka dhënë së fundmi një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, në të cilën ka folur për projektin e rrjetëzimit të organizatave mjedisore në Shqipëri.

Projekti, që po zbatohet nga konsorciumi i organizatave EcoAlbania, ACEG dhe Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje me mbështetjen e LevizAlbania, ka ngritur platformën online Engona.al, e cila synon zbutjen e fragmentarizmit që ekziston mes organizatave mjedisore.

Nika tha për “Gazetën Shqiptare” se përmes platformës organizatat “mund të eksplorojnë dhe shkëmbejnë mundësi bashkëpunimi mes tyre” prej nga ku “mund të amplifikojnë ndikimin ndaj vendimmarrësve”.

Deri më tani pjesë e platformës janë bërë rreth 50 organizata, të cilat janë ndarë në 4 rrjete tematike sipas fushave të interesit për: “Qeverisje Mjedisore”, “Mbrojtje ndaj ndotjes së mjedisit”, “Mbrojtje të biodiversitetit dhe faunës”, si dhe për “Advokim dhe hulumtim mjedisor”. Duke punuar si rrjet organizatat sigurojnë më tepër mbështetje, fonde, ndikim, ndërgjegjësim dhe mundësi advokimi. 

Anëtarësimi i organizatave bëhet përmes platformës Engona.al ku secila organizatë e interesuar mund të përfshihet në rrjetin tematik përkatës. Në secilin nga katër rrjetet e platformës publikohen kontaktet dhe të dhënat e organizatave, përmbledhje aktivitetesh dhe fushatash duke ofruar kështu më shumë informacione të dobishme për njohjen nga grupet e interesit.

Platforma shpërndan gjithashtu thirrje për projekte të ndryshme në fushën e mjedisit.

Artikullin e plotë e gjeni duke klikuar “këtu”.