Mbjellje pemësh në vend të HEC-it

2 prill 2021, Zhulat, Gjirokastër. Sot në fshatin Zhulat të Gjirokastrës, EcoAlbania mbolli 25 pemë bliri si pjesë e nismës “Pylli i shpresës” në luginën e Vjosës: një iniciativë e ndërmarrë për ri-pyllëzimin e luginës së Vjosës. Me kërkesë të komunitetit të zonës dhe si një formë mbështetje të komuniteteve që po kundërshtojnë projektet e HEC-eve në luginën e Vjosës kjo nismë vjen pikërisht në fshatin Zhulat. 

Banorët e Zhulatit janë ngritur në kundërshtim të hidrocentralit të Taroninës i cili prek dy degët e lumit Kardhiq – zonë e mbrojtur – Rezervat Strikt Natyror dhe janë të shqetësuar për situatën, njëzëri kundër ndërtimit të HEC-it.

EcoAlbania më parë ka zhvilluar një takim informues ku ka ofruar mbështejen e saj në kundështimin e HEC-eve në lumin e Kardhiqit. 

Mbi HECet në zonë:

Në gjithë pellgun e vogël ujëmbledhës të lumit të Kardhiqit janë planifikuar të ndërtohen gjithësej 8 HEC-e. Megjithatë vetëm dy prej tyre janë pranë konkretizimit. „HEC Taronina“ është njëri prej tyre gjurma e të cilit prek në mënyrë direkte përrenjtë e Zhulit dhe Zhulatit, pranë fshatit Zhulat. Kompania „Taronina Hydropower“ është autorizuar me urdhrin e MIE datë 15.01.2019 të zhvillojë projektin HEC Taronina. Kompanisë i është dashur gati 1 vit deri në Shkurt 2020 që të shfaqej në terren për të prezantuar projektin. Procesi i konsultimit nuk është mundur të realizohet pasi kompania ka hasur në kundërshtinë dhe revoltën e menjëhershme të banorëve të Zhulatit, të cilët janë organizuar në protesta dhe peticione drejtuar instancave shtetërore.

Banorët kanë marrë garanci nga Bashkia Gjirokastër për mos ndërtimin e HEC-it mirëpo, rreth një vit më vonë, Shukrt 2021, Kompania është shfaqur sërish në zonë duke nisur punimet në terren për kanalin e devijimit, pa zbatuar rregullat e njoftimit të projektit dhe duke dizinformuar komunitetin me pretendimin se po ndërtonte një ujësjellës për vaditjen e tokave bujqësore. Edhe kjo përpjekje ka hasur në kundërshtinë e banorëve duke detyruar kompaninë të largojë makineritë e ndërtimit nga zona.