Lumi Vjosa sërish në Parlamentin Evropian

Bruksel 29 Qershor 2016. Në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” EcoAlbania së bashku me RiverWatch dhe EuroNatur solli në vëmendjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian çështjen e ndërtimit të hidrocentraleve në lumin e fundit natyror në Evropë.

Drejtuar nga Zv. Presidentja e PE, Ulrike Lunacek, me datë 29 Qershor 2016, u mbajt një seancë dedikuar lumenjve të Ballkanit dhe Fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, ku vëmendja kryesore ishte e përqendruar tek Vjosa.

Znj. Lunacek u ndal fillimisht tek vizita e një muaji më parë në lumin e Vjosës si edhe tek eksperienca e saj fundit e lundrimit në këtë lumë. “Unë kam qenë personalisht në Vjosë duke bërë rafting për rreth 3 orë dhe më besoni që ka qenë një ndër eksperiencat më të jashtëzakonshme, duke shijuar lundrimin në një lumë të tillë dhe peizazhin e mrekullueshëm përreth. Është me të vërtetë për të ardhur keq që kjo trashëgimi natyrore të shkatërrohet nga ndërtimi i HEC-eve. Vjosa është një lumë që meriton të mbrohet për brezat e ardhshëm por edhe për zhvillimin e turizmit”- theksoi ajo.

Në fjalën e tij reporteri i parlamentit Evropian për Shqipërinë Z. Fleckenstein u ndal në rëndësinë që ka ruajtja e Vjosës dhe përdorimi i qëndrueshëm i saj përmes zhvillimit të eko-turizmit. “Unë jam shpesh i pranishëm në Shqipëri por fatkeqësisht kam shijuar shumë pak nga natyra e saj e mrekullueshme. Megjithatë për sa i përket Vjosës unë mendoj se ky lumë përbën një ndër potencialet më të mëdha të zhvillimit të turizmit në Shqipëri”- u shpreh ai. Duke krahasuar zhvillimin e turizmit në Austri dhe tërheqjen e shumë vizitorëve gjermanë, Z. Fleckenstein theksoi se ky model zhvillimi është më i përshtatshmi edhe për Shqipërinë duke u ndalur tek lumi Vjosa si një ndër potencialet më të mëdha.

Më tej ai shtoi – “Unë nuk mendoj se Ballkanit i duhen të ndërtojë 1000 HEC-e të tjerë por ajo që i duhet është gjetja e alternativave dhe investimi në zhvillimin e turizmit natyror”.

Të pranishëm në takim ishin edhe Euro-deputetë të tjerë reporterë për vendet ballkanike si  Igor Šoltes, Ivo Vajgl si edhe përfaqësues te Komisionit Evropian, ambasadorë, media e shoqëria civile.

Gjatë takimit në Parlamentin Evropian. (c) V. Pirker

Pas prezantimit të Fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” ku u fol për vlerat, bukuritë dhe potencialin e zhvillimit që bartin lumenjtë e Ballkanit, vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kërcënimit më të cilin këta lumenj përballen. Përfaqësues të fushatës Gabriel Schwaderer dhe Ulrich Eichelmann theksuan nevojën për hartimin e një Masterplani Rajonal ku të përcaktohen qartësisht zonat “e ndaluara” për t’u ndërtuar hidrocentrale.

Dy pikat kryesore ku u përqendrua diskutimi ishin pikërisht Pellgu i lumit Radika në parkun Kombëtar të Mavrovës në Maqedoni dhe lumi Vjosa në Shqipëri. Përfaqësuesi i EcoAlbania Z. Olsi Nika u ndal në mungesën e planifikimit dhe transparencës nga ana e Qeverisë Shqiptare për sa i përket ndërtimit të hidrocentraleve.

“Në rreth 3000 km gjatësi lumore të rrjetit hidrografik në Shqipëri janë planifikuar rreth 500 HEC-e. Nëse bëhet një përllogaritje e thjeshtë rezulton që në çdo 6 km të një rrjedhe do të ndërtohet një HEC. Ne mendojmë që kjo nuk është bazuar në një plan i cili do të sjellë zhvillim më tepër sesa në direktiva politike dhe në përfitime të çastit”, theksoi ai.

Në rastin e Parkut Kombëtar të Mavrovës përfaqësuesja e OJQ-së FRONT, Znj. Aleksandra Bujaroska përmendi betejat ligjore që shoqëria civile e atjeshme ka ndërmarrë për të kundërshtuar dy projektet e mëdha hidroenergjetike brenda parkut “Lukovo Pole” dhe “Boshkov Most” të financuara nga BERZH dhe Banka Botërore.

“Ne kemi bërë përpjekjet tona institucionale duke përdorur të gjithë mekanizmat që do të mundësonin një zgjidhje për të mos shkatërruar një ndër Parqet Kombëtare më të vjetër në Evropë, i cili është strehë e shumë llojeve të rëndësishme ku më i spikaturi është pa dyshim rrëqebulli i Ballkanit Lynx lynx balcanicus.  Kemi ngritur një ankesë në Komisionin e Ankesave të Konventës së Bernës dhe kemi arritur që për momentin të pezullojmë punimet për këto HEC-e, megjithatë beteja ka për të qenë e gjatë” u shpreh ajo.

Stefan Leiner Drejtori i Departamentit në Biodiversitetit në DG Environment pranë Komisionit Evropian ritheksoi edhe njëherë nevojën për planifikim strategjik dhe për hartimin e një masterplani rajonal. Ai u shpreh: – “Nevoja për një masterplan mbi HEC-et në Ballkan është imediate sepse në këtë pjesë e cila synon të integrohet në familjen Evropiane, lumenjtë janë ende në gjendje të mirë dhe nëse këta do të shkatërroheshin, kjo do të thoshte një kosto disa fish më e madhe për ne pasi do të jetë detyra jonë e mëvonshme për të restauruar pikërisht këta lumenj kur vendet e Ballkanit si Shqipëria të anëtarësohen në BE”. Me tej Z. Leiner përmendi edhe përgatitjen e dokumentave orientues nga BE për vendet e Ballkanit të cilat do të ndihmonin këto vende në planifikimet strategjike. Nga ana tjetër me theksin e veçantë te lumi Vjosa ai ngriti nevojën për kërkime pasi për këtë lumë të dhënat shkencore janë shumë të limituara.

Në fjalën përshëndetëse ambasadorja e Shqipërisë në Bruksel Znj. Suela Janina u shpreh se do të ndikonte në Qeverinë e saj në Tiranë për të mbrojtur lumin Vjosa dhe për shpalljen e tij Park Kombëtar. “Ndjehem krenare dhe në të njëjtën kohë e trishtuar për sa i përket lumit Vjosa. Megjithatë më lejoni t’ju shpreh angazhimin tim duke theksuar se jam thellësisht e obliguar për ta mbrojtur këtë pasuri natyrore. Unë do të bej gjithë përpjekjet e mia që Vjosën t’ua lëmë pasardhësve tanë ashtu siç e kemi trashëguar” përfundoi ajo.

Në fjalën përmbyllëse të takimit Znj. Lunacek ritheksoi edhe njëherë rëndësinë që kanë lumenjtë e Ballkanit dhe lumi Vjosa në veçanti për Evropën.  Ajo u shpreh: “Më lejoni t’ju theksoj se ky nuk është një takim që ka vetëm mbështetjen e grupimit të gjelbër në Parlamentin Evropian por ju siguroj se çështja e lumenjve të Ballkanit dhe Vjosës ka vëmendjen e të gjithë grupimeve në PE dhe ne Komisionin Evropian. Nga ana tjetër ajo që vlen të theksohet është se ky nuk është një takim i mbyllur dhe i përfunduar këtu, por është nisja e një procesi lobimi tek vendimmarrësit e vendeve të Ballkanit për të shpëtuar lumenjtë, këtë trashëgimi të jashtëzakonshme natyrore të Evropës!

Në maj të këtij viti Zv. Presidentja e PE, vizitoi Vjosën në një nga aktivitetet e ndërmarrë në kuadër të “Turit të lumenjve të Ballkanit” dhe pas kthimit të saj në PE raportoi për këtë eksperiencë dhe bëri thirrje për mbrojtjen e këtij thesari të trashëgimisë Evropiane. 

Nga Olsi Nika/ EcoAlbania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *