Lumi Devoll, dikur ujë i pijshëm, sot vendgrumbullim mbeturinash e ujërash të zeza

Në timbrin e zërit të zotërisë së moshuar që qëndron në pragun e derës të shtëpisë dy katesh, anës rrugës në Bilisht, dallohet nostalgjia për një kohë të shkuar, ku lumi Devoll ishte i kulluar dhe pastër. “Fajin” ia vë demokracisë që sot uji i lumit me të cilin është rritur, ka marrë ngjyrë të zezë, ndërsa anash saj qëndrojnë pirgje inertesh dhe mbeturinash.

“Uji ishte i pastër, edhe pinim, shumë i pastër”, – kujton i moshuari 77-vjeçar, i cili nuk dëshiron të identifikohet. Abuzimi me lumenjtë e kthen në vitet e mëhershme, ku sipas tij lumi trajtohej ndryshe nga shteti autoritar.

“Në kohën e monizmit, kooperativa linte dy veta, përgjigjeshin për lumin. Bagëti, aty ku lejoheshe për t’u futur, i fusnin bagëtitë, atje ku s’lejoheshe, nuk i fusnin. Mbillte plepa dhe nuk i lejonte bagëtinë. E dyta, nuk gërryeje të merrje rërën, e njërën e tjatrën”, – vijon më tej ai.

Ecejaket në kohë i referohen mirëqenies së lumi Devoll, i cili është 196 kilometra i gjatë dhe buron nga mali i Moravës, për të vijuar në njësinë administrative Miras në bashkinë Devoll, pjesë e qarkut të Korçës. Më pas, Devolli ndjek rrugëtimin e tij deri në bashkimin me Osumin në Berat, duke formuar kështu Semanin, i cili derdhet në detin Adriatik.   

Rrjedhës së Devollit i bashkohen edhe shumë degëzime, që përshkruajnë thuajse 44 fshatrat e Bashkisë Devoll. Degët e tij kryesore janë lumi i Dunavecit, lumi i Selcës, lumi i Shënepremtes, i Tomorricës dhe i Holtës.

“Të këqijat i merr lumi”, – shprehet Margarita Buxhaku, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Shqiptare për Qeverisje Mjedisore (ACEG), teksa liston çfarë e ka shkaktuar ndotjen e lumit Devoll ndër vite. Ajo rendit faktorë si mbetjet shtëpiake, të cilat vitet e fundit kanë marrë disi zgjidhje, mbetjet e gjelbra dhe ujërat e zeza.

QEVERIA GJERMANE FINANCON NDËRTIMIN E LANDFILLIT TË MALIQIT

Qeveria gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, ka investuar 14 milionë euro për ndërtimin e landillit të Maliqit, investim i cili trajton mbetjet e gjashtë bashkive; Devoll, Kolonjë, Korçë, Maliq, Pustec dhe Pogradec, pjesë e qarkut Korçë. Ky landfill është funksional prej vitit 2018.

Në landfillin e Maliqit trajtohen vetëm mbetjet urbane sa i përket Bashkisë Devoll, ndërsa mbetjet e gjelbra dhe ato inerte nuk trajtohen. Këto dy të fundit përfundojnë në lumë, sepse dërgimi për trajtim në landfill do të rriste më shumë taksat për qytetarët.

Margen Skoti nga kompania “Alko Impex Contruction”, e cila ka fituar tenderin për shërbimin e pastrimit të Bashkisë Devoll për disa vite radhazi, pohon se në muaj, kjo bashki prodhon 350-400 ton mbetje shtëpiake që çohen për trajtim në landfillin e Maliqit.

Trajtimi i një ton mbetjeje kushton rreth 16-18 euro euro, vijon më tej ai. Një muaj i kushton Bashkisë Devoll rreth 5600-6400 euro trajtimi i mbetjeve shtëpiake në këtë landfill.

Kostoja e lartë e ka lënë të pazgjidhur situatën tejet problematike të mbetjeve të gjelbra, pasi prodhimtaria e këtyre mbetjeve po ashtu është shumë e lartë. Shitja e produkteve bujqësore është aktivitet kryesor ekonomik për qytetarët e Bashkisë së Devollit.

Sipas të dhënave të publikuara në INSTAT, në vitet 2018-2020 janë prodhuar në Bashkinë Devoll 34,319 ton perime.

Për vitin 2020, informon INSTAT, qarku i Korçës mban nivelin më të lartë të prodhimit të pemëve frutore në Shqipëri, me 82,007 ton.

“Si një zonë e cila bazohet kryesisht në bujqësi dhe blegtori, problem i vazhdueshëm mbetet tregtimi i prodhimeve të cilat shpesh mbeten stok ose shiten nën kosto”, – shkruhet në raportin “Barometri i Bujqësisë”.

Dhe kur prodhimet mbeten stok, “të këqijat i merr lumi”. 

“Mosshitja e mollëve, që ndodh shpesh… përfundojnë në lumë në muajin mars”, – thotë Margarita Buxhaku. Raportimet e vazhdueshme mediatike e vërtetojnë këtë. Shpesh lumenjtë kthen në venddepozitim për hedhjen e mundit dhe mollëve apo produkteve të tjera të pashitura të fshatarëve. 

“KOSHA” TË SHPUAR PËR BANORËT

Në njësinë administrative Mirastë zinte syri, me distancë të ndryshme, disa fuçi metalike të vendosura anash rruge, të shpuara, që kishin funksionin e koshave të mbeturinave. Shpimi i tyre erdhi si masë “parandaluese” ndaj banorëve të cilët jo pak herë i kanë “rrëmbyer” fuçitë e stisura, për t’i përdorur për funksione të tjera.

“Fuçitë i ka shpuar firma sepse kur i vunë të reja në fillim, i merrnin banorët, i fusnin brenda dhe i mbushnin me grurë dhe për të evituar këtë pjesë, firma i shpon përpara se t’i çojë në fshat dhe t’i vendosë ato”,  – shpjegon Buxhaku.

Kompania “AlkoImpex Contruction” ka fituar tenderin për shërbimin e pastrimit të Bashkisë Devoll për disa vite radhazi, çka e bën përgjegjës për furnizimin me kosha dhe mirëmbajtjen e qytetit. Fuçitë e shpuara në vend të kontejnerëve normalë, rrëfen Baxhaku, u vendosën me arsyetimin se infrastruktura rrugore nuk është e përshtatshme.

“Firma argumentonte se arsyeja e mospasjes së kazanëve normalë të depozitimit normale është se nuk ka mjaftueshëm infrastrukturë rrugore që të hyjnë makinat e përshtatshme”, vijon Margarita Buxhaku, “po duhet thënë që në 44 fshatra në Devoll mund të jenë vetëm dy ose tre që janë në zona shumë të thella që nuk ka rrugë të asfaltuara”.

Mungesën e infrastrukturës e pohon edhe Margen Skoti, përfaqësues i kompanisë “Alko Impex Construction” dhe përgjegjës për mirëmbajtjen e bashkisë së Devollit. Ai u shpreh më tej se problematika e fuçive të naftës në vend të koshave është zgjidhur, pasi së fundmi, i kanë zëvendësuar.

“Nuk ka shanse të jenë koshat e shpuar, para pak javësh mua më ka ardhur një ngarkesë prej 35 koshash dhe unë i kam ndërruar, janë të tërë të rinj”.

“Na i vidhnin na i trazonin, na i merrnin kapakët na i shisnin për skrap”, – thotë ai duke iu referuar shpimit të fuçive si masë ndaluese për t’i penguar banorët që t’i merrnin fuçitë e naftës që ishin vendosur ne vend të kontejnerëve.

Megjithatë, Skoti pohon se 80% e shërbimit të pastrimit të qytetit bëhet përmes nxjerrjes së mbeturinave tek dera e shtëpisë, ku ato mblidhen tre herë gjatë javës.

Nga ana tjetër, banorët shprehen disi të kënaqur nga mënyra sesi një pjesë e mbetjeve trajtohen. Përveç koshave, ata e konfirmojnë se i mbledhin mbetjet shtëpiake dhe i lënë jashtë derës të shtëpisë, të cilat merren nga firma dhe dërgohen për trajtim në landfillin e Maliqit.

“Unë personalisht i bëj gati nëpër thasë. Ditën e mërkurë ose të shtunë që vjen makina, i lëmë aty jashtë te dera, në mëngjes i mbledhin edhe ikin”, – rrëfen një djalosh nga fshati Baban.

ASNJË PLAN PËR TRAJTIMIN E UJËRAVE TË ZEZA

Florenc Zyfi, nga Bashkia e Devollit, u shpreh se situata e ujërave të përdorur është mjaft problematike.

“Ne si bashki jemi akoma në fazën e nxjerrjes së ujërave të zeza nga zonat e banuara, sepse është situatë problematike në gjithë Devollin”, – pohoi Zyfi.

“Për momentin nuk kemi asnjë lloj zgjidhjeje për të eliminuar ujërat e zeza nga lumenjtë”, – tha ai. Përpos ujërave të zeza, në lumë përfundojnë dhe kimikate të shumta si pasojë e aktivitetit intensiv bujqësor.

“Trajtimi me pesticide i pemëtarisë në zonë, edhe ato lloj mbetjesh që gjenerohen nga pesticidet, prapë përfundojnë në lumë, përveç ujërave të përdorur të familjarëve, edhe ato përfundojnë në lumë”, – citon Margarita Buxhaku.

Të gjitha këto probleme, rrëfejnë banorët e kanë kthyer lumin në një rrjedhë të cilës e ke të vështirë t’i kalosh afër.

“Çdo degëzim që bashkohet me lumin e Devollit ka ujëra të zeza, nga çdo fshat. Të kalosh në drekë nuk kalon dot nga era”, – shprehet një qytetar nga fshati i Babanit.

Një tjetër kalimtare në Bilisht tregon me krenari se është nga Hoçishti, zonë që ka nxjerrë njerëz të intelektualë e të shquar. Pos shqetësimit për ndotjen e lumit dhe erës së keqe që ai mban, ajo referon shqetësimin e tjetër, atë të ngushtimit të rrjedhës së lumit Devoll.

Në druajtje të shirave të rrëmbyeshëm, disa prej banorëve kanë mbjellë pemë, që të parandalojnë përmbytjen e arave dhe gërryerjen.

“I kanë ngushtuar lumenjtë, ku të vete të ankohem unë një herë. I kanë zaptuar tokat. Është bërë ai lumi ta qash, si ka qenë. Lumi i gjerë, i mirë, i pastër, laheshim, pinim ujë se punonim në kooperativë dhe s’kishim burime shumë nëpër fushë. Ku pihet tani, është ujë i qelbur”, – shprehet ajo, teksa kërkon të mos identifikohet pasi frikësohet se mund t’i hapë telashe djalit të saj.

ACEG së bashku me Bashkinë e Devollit finalizoi në vitin 2018 projektin “Ndërtimi i një ure bashkëpunimi mes bashkisë, shoqërisë civile dhe komunitetit për menaxhimin e mbetjeve në Bashkinë Devoll”, financuar nga Ambasada Suedeze në Shqipëri, projekt i cili kishte si qëllim ndërgjegjësimin dhe bashkëpunimin me komunitetin për të kthyer një vendgrumbullim plehrash në një park për fëmijë.

Tre vite më vonë, parku është shkatërruar tërësisht dhe shtrati i lumit Devoll që përshkon Mirasin është kthyer sërish në vendgrumbullim mbetjesh. Një tufë me dele kalojnë anës lumit dhe ushqehen me mbetje të shtrira anekënd.

Margarita Baxhaku shprehet se e prisnin një rezultat të tillë. Me trishtim ajo pohon gjendjen aktuale të lumit, i cili nuk përkon aspak me imazhet e saj të fëmijërisë, e aq më pak me vizionin e saj si aktiviste mjedisore.

Fshati ku unë jam rritur e përshkruan një nga degët e Devollit. Lumi Devoll buron nga mali i Moravës dhe është ujë i pastër, i pijshëm dhe dikur rritej peshku dhe të gjithë banorët ushqeheshin më peshk. Vizioni ky është; t’i kthehet jeta atij lumi”, – përfundon Margarita Buxhaku. 

Nga Entenela Ndrevataj