Lumi Cem – i kërcënuar nga ndërtimi i hidrocentraleve

Vukël, 20 Qershor 2020. Epidemia e HEC-eve ka prekur edhe lumin Cem, një nga lumenjtë më të bukur të Alpeve Shqiptare duke rrezikuar shkatërrimin e rrjedhës natyrore të lumit dhe penguar zhvillimin e turizmit në zonë. Me qëllim mobilizimin e banorëve të fshatrave që preken nga ndërtimi i HEC-eve, EcoAlbania zhvilloi takimin e rradhës në fshatin Vukël të Malësisë së Madhe. Në këtë takim morën pjesë banorët e zonës dhe përfaqësues të EcoAlbania-s. Diskutimi u përqendrua tek çështja e ndërtimit të hidrocentraleve “Ura e Tamarës” dhe “Dobrinjë” si dhe eksperienca e mëparshme e EcoAlbania-s në mbrojtje të lumit Vjosa.

Projektet “Hec Ura e Tamarës” (Hec Kozhnjë 1, Kozhnjë 2 dhe Tamara) dhe HEC Dobrinjë shfrytëzojnë potencialin ujëmbledhës të lumit të Cemit të Vuklit dhe Selcës. Zona ku shtrihet gjurma e Hec-eve i përket bashkisë Malësi e Madhe, Qarku Shkodër. Aktualisht, qeveria shqiptare ka miratuar ndërtimin e 4 hidrocentraleve në Malësinë e Madhe. Miratimi i lejeve për ndërtim u dha nga qeveria në vitet 2018 dhe 2019. Edhe pse kompania ka filluar të realizojë matjet në zonë, ndërtimi i projekteve të hidrocentraleve nuk ka filluar akoma.

Banorët, treguan se nuk është realizuar asnjë dëgjesë publike në lidhje me HEC-et në Malësinë e Madhe. Me mendimin që kjo pasuri e përbashkët nuk duhet të cënohet kërkojnë mbështetje për t’ia dalë me sukses sfidës së mbrojtjes së mjedisit dhe lumenjve. Përfaqësuesit e EcoAlbania-s bazuar në eksperiencën e mëparshme, në betejën për mbrojtjen e lumit Vjosa, ofruan mbështjetjen e tyre dhe inkurajuan banorët të luftojnë për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe pasurive natyrore të zonës.

Informacion i përgjithshëm: Lumi Cem ka dy degë kryesore; Cemi i Vuklit i gjatë 17.9 km dhe Cemi i Selcës me gjatësi prej 22.5 km, që bashkohen te ura e Tamarës. Në pjesën e Malit të Zi lumi bashkohet me Moraçën në afërsi të Podgoricës dhe derdhet në liqenin e Shkodrës në Ponari (Mali i zi).