Konventa e Bernës kërkon pezullimin e HEC-it të Kalivaçit dhe Poçemit

++12 rekomandime për qeverinë shqiptare në lidhje me planet për ndërtimin e HEC-eve në luginën e Vjosës++

Tiranë, 24.10.2018. Komisioni i Përhershëm i Konventës së Bernës ka publikuar draftin me 12 rekomandime për qeverinë shqiptare në lidhje me planet për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Vjosë. Ajo rekomandon qeverinë shqiptare të pezullojë projektet për ndërtimin e hidrocentraleve të Kalivaçit dhe Poçemit në Vjosë, pasi zbatimi i tyre do të shkonte në kundërshim me parimet e Konventës e Bernës dhe i kërkon asaj të bëjë një planifikim strategjik e të ndërmarrë vlerësime të mëtejshme.

Konventa e Bernës është një prej konventave më të rëndësishme të ruajtjes së natyrës dhe mbrojtjes së biodiversitetit në Evropë, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar. Rekomandimet e saj do të ishin detyruese për qeverinë shqiptare duke çuar deri në anulimin e HEC-eve në gjithë luginën e Vjosës.

“Dy vite më parë ne kemi adresuar një ankimim pranë Konventës së Bernës duke argumentuar se ndërtimi i HEC-eve në Vjosë është në kundërshtim me disa nene të saj. Dhe sot pas një angazhimi të vazhdueshëm Byroja e Konventës vjen me një raport dhe një sërë rekomandimesh të cilat qeveria shqiptare ka detyrimin që t’i marrë në konsideratë”. tha Olsi Nika, përfaqësues i EcoAlbania.

Ndërtimi i Hidrocentralit Kalivaç ka kohë që është ndalur. Më 13 Qershor 2018 i njoftua nënshkrimi i kontratës së re të konçesionit. (c) R. Dorozhani

Në rekomandimet e saj, Konventa vë theksin tek hartimi i Planit të Menaxhimit të Integruar të Basenit të Vjosës dhe Vlerësimit Strategjik Mjedisor duke ndërmarrë konsultime të gjera me komunitetin. Njëkohësisht rekomandon qeverinë të zhvillojë një studim për ndikimet potenciale të HEC-eve të Kalivaçit dhe Poçemit në prurjen e sedimenteve të lumit Vjosa si dhe të përsërisë studimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për HEC Poçem.

Këto rekomandime do të diskutohen nga Komisioni i Përherëshm në mbledhjen e 38-të të tij në Strasburg, që do të mbahet më 27-30 nëntor 2018, për t’i hapur rrugë çeljes së çështjes së Vjosës në Konventën e Bernës.

Aktualisht, qeveria shqiptare ka nënshkruar kontratën e koncesionit për hidrocentralin e Kalivaçit me bashkimin e përkohshëm të kompanive “Fusha Sh.p.k” dhe “Ayen Enerji”. Kësaj të fundit më parë i ishte dhënë koncesioni për ndërtimin e projektit hidroenergjetik Poçem, punimet e të cilit kanë ndaluar, pas shpalljes së pavlefshmërisë së kontratës koncesionare nga Gjykata Administrative e Shkallës së I-rë, Tiranë. Të dy hidrocentralet janë planifikuar në pjesën e poshtme të Vjosës dhe do të shkatërronin një pjesë veçanërisht të rëndësishme të lumit.