Konventa e Bernës hap çështjen për hidrocentralet në Vjosë

++Komisioni i Përhershëm rekomandon ndalimin e menjëhershëm të hidrocentraleve të Poçemit dhe Kalivaçit në lumin Vjosa++ Shqipërisë do t’i kërkohet të bëjë planifikimin strategjik mjedisor të nevojshëm dhe të mbledhë të dhënat mjedisore që ende mungojnë.++

Tiranë, 29.11.2018. Komisioni i Përhershëm i Konventës së Bernës ka hapur çështjen për hidrocenteralin e Poçemit dhe Kalivaçit në Vjosë duke i kërkuar qeverisë shqiptare pezullimin e menjëhershëm të hidrocentralit të Poçemit dhe Kalivaçit, pasi zbatimi i tyre do të shkonte në kundërshim me parimet e Konventës së Bernës – derisa të bëhen planifikimet e nevojshme strategjike dhe vlerësimet mjedisore të munguara. Në mbledhjen e 38-të të Komisionit të Përhershëm, të mbajtur më 27-30 nëntor 2018 në Strasburg, çështja e Vjosës u përfaqësua nga EcoAlbania, në cilësinë e organizatës ankimuese e cila ka depozituar ankesën pranë Konventës së Bernës në vitin 2016.

Drejtori ekzekutiv i EcoAlbania-s, Olsi Nika, gjatë prezantimit të çështjes së lumit Vjosa në Mbledhjen e Komisionit të Përhershmëm të Bernës. (c) Th. Schiller/EuroNatur

“Vjosa është një sistem lumor unik me rëndësi Evropiane. Kjo u theksua edhe një herë sot, ku shumica e shtetve anëtare mbështetën kërkesën tonë për të hapur çështjen dhe i kushtuan  vëmendje të veçantë mbrojtjes së saj! Me këtë vendim ne mendojmë se çështja e lumit Vjosa po shkon në një nivel tjetër! Tashmë është koha që ne dhe Konventa e Bernës të ndjekim me kujdes të gjitha procedurat në lidhje me zhvillimin e hidrocentraleve në Vjosë dhe hapat që qeveria shqiptare do të ndërmarrë për të përmbushur rekomandimet”, tha Olsi Nika nga EcoAlbania.

Organi qeverisës i Traktatit Evropian për Jetën e Egër ka shprehur shqetësimin për rrezikun emergjent që i kanoset ekosistemit unik të lumit Vjosë për shkak të projektetve hidro-energjetike të planifikura, veçanërtisht në pjesën qendrore ku janë planifikuar 2 hidrocetrale (Poçemi dhe Kalivaçi), duke theksuar larminë e  gjallesave që jetojnë në lumë apo në zonat ku janë planifikuar të ndërtohen HEC-et, ku mes tyre janë edhe shumë lloje të rrezikuara.

Ndërkohë, më shumë të dhëna shkencore do të paraqiten më 6 dhjetor në Tiranë gjatë një workshopi të organizuar nga ekipi i shkencëtarëve nga Shqipëria dhe Austria, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, të dhëna të cilat kanë shërbyer si bazë për argumentimin shkencor të ankimimit të paraqitur pranë Konventës së Bernës.