Hulumtimet për naftë në luginën e Vjosës shqetësojnë mjedisorët

Hulumtimet për përbërjen e nëntokës në luginën e Vjosës në rrethinat e Përmetit shqetësuan mjedisorët gjatë muajit prill. Media të ndryshme raportuan se kompani si “Shell” apo “Geotec Spa” kishin nisur të kryenin shpime sipas një studimi gjeofizik për gjetjen e burimeve të naftës dhe gazit.

Banorët e Dëshnicës në Përmet thanë se ata i kishin kundërshtuar konsultimet me kompanitë për eksplorimin e burimeve të reja të hidrokarbureve. Ata protestuan përpara Bashkisë Përmet (kliko këtu për t’u njohur me protestën) dhe më tej nisën dhe një peticion online (kliko këtu për të parë peticionin).

Kompania Shell reagoi pak ditë më pas duke u shprehur më 2 maj (kliko këtu për të shqyrtuar reagimin) se bëhej fjalë për “studim gjeofizik” dhe se ai shërben “për të kuptuar më mirë perspektivën e zbulimit në Bllokun 2”.

“Pavarësisht rezultateve të studimit gjeofizik, Shell nuk do të kryejë shpime për naftë dhe gaz në lumin Vjosa, i cili është një moment natyror me rëndësi të veçantë që ne do ta respektojmë, […] ne nuk do të kryejmë shpime për naftë dhe gaz në nënzonën qendrore të Zagorisë, e cila gëzon mbrojtje të veçantë,” – u tha nga Shell, e cila në vitin 2018 përfitoi një kontratë (kliko këtu për të parë vendimin) për hulumtimin e zonës nga qeveria shqiptare, një muaj pasi kjo e fundit e pati shpallur Zagorinë “Park Natyror” (kliko këtu për të parë vendimin).

Aktiviteti i kompanisë Shell ngjalli shqetësimin e mjedisorëve teksa EcoAlbania u zotua ta ndjekë nga afër zhvillimin e saj. Aktori, njëherësh aktivisti i zëshëm i mjedisit, Leonardo DiCaprio e përfshiu shqetësimin e tij në një tjetër reagim për lumin Vjosa të bërë në fillim të muajit maj.

Më poshtë mbulimi në media i kësaj çështjeje: