Fillon sezoni i monitorimit të Bretkosës shqiptare në Gjirin e Vlorës

EcoAlbania ka filluar punën në terren për mbledhjen e të dhënave lidhur me shpërndarjen e species së Bretkosës shqiptare (Pelophylax shqipericus), ekologjinë dhe statusin e popullatës së saj në Gjirin e Vlorës.

Gjatë kësaj faze po mblidhen të dhëna për specien dhe habitatet e saj, të cilat do të shërbejnë si bazë për hartimin e Planit të Veprimit për Specien – një dokument politikash për ruajtjen e Pelophylax shqipericus në Shqipëri.

Pelophylax shqipericus është një specie endemike në Ballkan dhe gjendet vetëm në Shqipërinë perëndimore dhe pjesën jugore të Malit të Zi, në kanale, këneta të ujërave të ëmbla, dhe kanale me vegjetacion të lartë pranë brigjeve të liqeneve dhe lumenjve. Rezulton se popullata e saj është e pranishme në disa zona të Gjirit të Vlorës.

Ndërkombëtarisht ekziston një shqetësim i rëndësishëm lidhur me statusin e species për shkak të rënies së popullsisë dhe degradimit të habitatit të saj. Aktualisht kjo specie është kategorizuar si “E rrezikuar” në listën e kuqe të IUCN dhe është renditur në Shtojcën III të Konventës së Bernës. Shqipëria deri më tani nuk ka plan specifik të menaxhimit për ruajtjen e saj.

Informacion i përgjithshëm:

Gjiri i Vlorës është një Zonë Kyçe Biodiversiteti me prioritet të lartë ku elementë të biodiversitetit si, speciet dhe ekosistemet e kërcënuara janë të kombinuara. Ky ekosistem është i njohur për vlerën e tij estetike, të dalluar për integritetin e saj të veçantë natyror dhe ekuilibrin ekologjik. Nga 46 speciet e raportuara në bregdetin shqiptar, 32 prej tyre mund të gjenden në Gjirin e Vlorës. Duke marrë parasysh edhe listën e Kuqe të Faunës së Shqipërisë, mes 220 llojeve të faunës detare të përfshira në këtë listë, rreth 160 specie (75%) raportohet se gjenden në Gjirin e Vlorës

EcoAlbania me mbështetjen e Fondit të Partneritetit për Ekosistemet Kritike (CEPF) , po zbaton projektin “Masat për ruajtjen e Bretkosës Shqiptare” që ka si qëllim ruajtjen e bretkosës shqiptare duke bërë vlerësimin e situatës aktuale, kërcënimeve dhe masave të nevojshme të ruajtjes për bretkosën shqiptare në Gjirin e Vlorës dhe angazhimin e aktorëve lokalë për ruajtjen e bretkosës shqiptare në Gjirin e Vlorës.