Erozioni detar rrezikon vijën bregdetare në Vlorë, Durrës dhe Lezhë

Erozioni detar është avancimi i tokës drejt detit. Kjo dukuri është një proçes natyror i cili mund të ndikohet shumë prej faktorëve dytësorë siç mund të jenë ndryshimet klimatike. Erozioni bregdetar përshpejtohet edhe nga nga aktivitetet njerëzore të tilla si shpyllëzimet apo urbanizimi. Pasojat e erozionit kanë ndikim afatgjatë në ekosistemet lagunore dhe detare. Ai mund të sjellë përmbytje të ekosistemeve kalimtare siç jane lagunat apo humbje të plazheve ranore bregdetare. Një avancim më i madh i tij mund të shkaktojë deri në përmbytje të rrugëve në të ardhmen çka do të sillte një ndikim te drejtpërdrejtë në ekonomi dhe sidomos në sektorin e turizmit.

Referuar raportit “Hartëzimi i problematikës mjedisore përgjatë bregdetit në Shqipëri“ të zhvilluar nga EcoAlbania dhe mbështetur nga Fondacioni Westminster për Demokraci, në Durrës erozioni bregdetar vlerësohet në 17% ndërsa në Lezhë 20%. Perceptimi i aktorëve lokalë mbi rëndësinë e erozionit bregdetar në morinë e problematikave mjedisore vlerësohet të jetë mjaft problematike. Arsyet kryesore që këta aktorë listojnë për këtë perceptim lidhen me shkatërrimin e mbulesës bimore, ndryshimet klimatike dhe marrja pa kriter e materialeve inerte në shtretërit e lumenjve. Në Lezhë erozioni bregdetar kap shifrat më të larta në Shqipëri të cilat arrijnë në një mesatare vjetore me rreth 2-3m. Këtu ndikimet më të mëdha lidhen me shfrytëzimin e paligjshëm të shtratit të lumenjve për materiale ndërtimi me vlerësim maksimal prej 4 pikësh, ndërkohë që shkatërrimi i mbulesës bimore renditet me 3.8 nga 4 pikë. Një ndikim mjaft shkatërrues është edhe ndërtimi i digave të mëdha të HEC-eve mbi lumin Drin, çfarë ka sjellë bllokimin e materialeve të ngurta prapa këtyre digave dhe pengimin e tyre në rrugen drejt detit si nje kundërpërgjigje e erozionit detar. Në këto kushte, deti avancon me një shpejtësi të konsiderueshme duke “pushtuar” bregun dhe duke tjetërsuar plazhet dhe ekosistemet e brishta lagunore. Situata është e njëjtë edhe në Vlorë ku hasemi me mungesë të bimëve e pyjeve të vlerësuar me 3.25 nga 4 pikë, ndërkohë që përdorimi i shtratit të lumenjve si burim i shfrytëzimit të paligjshëm për ndërtime arrin në 3.5 nga 4 pikë.

Erozioni bregdetar. (c) B. Ahmeti/EcoAlbania

Marrja pa kriter e inerteve nga shtretërit e lumenjve rekomandohet që të ndalet dhe të vendoset nën një kontroll të rreptë mbikëqyrjeje nga inspektoratet si edhe rekomandohet të ndërmerren programe të gjera ripyllëzimi në shpatet e pjerrët të luginave apo dunave bregdetare.

Në mënyrë që kjo dukuri të ndalet dhe të ruhet ekosistemi, një sërë masash po merren nga ana e institucioneve lokale. Gjatë diskutimeve të realizuara në Lezhë, Durrës dhe Vlorë me përfaqësues të nivelit lokal dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile rreth njohjes së problematikave bregdetare është arritur në disa përfundime.

Së pari, nevojitet një ndërgjegjësim më i madh i qytetarëve lidhur me mjedisin dhe erozionin detar. Për të pakësuar këtë dukuri, pritet të rriten inspektimet në terren dhe masat shtrënguese siç janë gjobat lidhur me marrjen e inerteve nga shtretërit e lumenjve.

Problematika tjetër haset në lagunën e pasur me florë dhe faunë të Kune-Vain-it në Lezhë, ku erozioni detar ka shkaktuar braktisjen e plazhit nga pushuesit. Këtu një investim i kushtueshëm nga ana e bashkisë është edhe pajisja më dallgëthyese përgjatë vijës bregdetare. Kështu, nuk do të kishte më përmbytje dhe avancim të detit drejt tokës. Si përfundim, nëse kjo do të arrihej atëherë edhe turizmi do të kishte përmirësim. Megjithatë kjo zgjidhje e problemit nuk është realizuar ende pasi bashkitë kanë mungesë fondesh dhe janë të fokusuara në programe advokimi qytetar rreth problematikave që erozioni sjell në mjedis.

Një tjetër zgjidhje efektive kundër erozionit është dhe përqasja me programe ripyllëzimi përgjatë luginave dhe dunave bregdetare. Për shembull, kjo do të ndikonte pozitivisht pyllin e Sodës në Vlorë, ku në të ardhmen prania e pishave do të shërbente si një barrierë për erozionin detar. Jo vetëm kaq, por në këtë zonë duhet të ndalohen aktivitetet e prerjes së pemëve dhe të merren masa të rrepta për to. Bazuar në statistika, një pishë në zonën e Pyllit të Sodës kërkon rreth 30 vite që të rritet. Për këtë arsye, është sugjeruar nga ana e anëtarëve të zonave të mbrojtura në Vlorë që të ndalohen edhe guidat turistike derisa pishat të arrijnë një nivel rritje.

Së fundmi, ribërja e studimeve të thelluara rreth erozionit detar dhe pajisja me specialistë në Bashki apo institucionet përkatëse do të ndihmonin më tepër procesin e ndërgjegjësimit qytetar. Kjo pasi, sa më transparente janë institucionet në publikimin e hartave të sakta të erozionit në bregdetin shqiptar dhe pasojat e tij, aq më shumë ndërgjegjësim qytetar do ketë.