Efiçenca energjetike mbledh në tryezë bizneset e ndërtimit

Ditën e premte, më 15 dhjetor 2017, EcoAlbania ka mbledhur së bashku në tryezën e diskutimit me temë “Efiçenca energjetike në ndërtesa” përfaqësues të bizneseve të ndërtimit, shoqatës së ndërtuesve, përfaqësues të qeverisjes qendrore dhe vendore, si dhe ekpertë të fushës. Gjatë takimit u diskutua mbi ligjet e reja për efiçencën dhe performancën e energjisë, çertifikimin energjetik të ndërtesave, përmirësimin e infrastrukturës së konsumatorëve, si dhe lehtësirat që do të kënë kompanitë e ndërtimit nga zbatimi i këtij legjislacioni.

Gjatë tryezës me ” përfaqësues të bizneseve të ndërtimit, shoqatës së ndërtuesve, përfaqësues të qeverisjes qendrore dhe vendore, si dhe ekpertë të fushës. ©
Gjatë tryezës me ” përfaqësues të bizneseve të ndërtimit, shoqatës së ndërtuesve, përfaqësues të qeverisjes qendrore dhe vendore, si dhe ekpertë të fushës. (c) V. Kabilli/EcoAlbania

Gjithashtu u prezantuan disa nga të dhënat e studimit mbi “Varfërinë energjetike” për qytetin e Tiranës, të realizuar nga EcoAlbania dhe Qendra EDEN. Vëmendja e pjesëmarrësve u tërhoq nga të dhënat ku tregohej se peshën më të madhe të shpenzimeve në familjet e Tiranës e zë ngrohja e ujit. Lidhur me këto shifra, ekspertët dhe përfaqësuesit e bizneseve të ndërtimit propozuan disa ndërhyrje që mund të realizohen në ndërtesat ekzistuese për të bërë më efiçent sistemin e ngrohjes së ujit.

Gjergji Simaku, Drejtor pranë Drejtorisë së Politikave dhe Strategjisë së Zhvillimit të Energjisë dhe Industrisë, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, shpjegoi ligjet e reja “Për efiçencën e energjisë” dhe “Për përformancën e energjisë së ndërtesave”. Ai u ndal në hapat që duhen ndjekur nga ndërtuesit për tu pajisur me çertifikatën PEN (çertifikata e energjisë). I pyetur nga të pranishmit, Z. Simaku ka thënë: “Çertifikimi i ndërtesave do të bëhet nga audituesit e energjisë të cilët do të liçencohen nga ministria përgjegjëse për energjinë. Çertifikata ka për qëllim orientimin e konsumatorit për shkallën e efiçencës energjetike të ndërtesës që do të blejë. Kjo çertifikatë do të bëjë edhe diferencimin në çmimin e ndërtesës.”

Mundësitë e financimit dhe stimujt ekonomik ndaj bizneseve që punojnë në sektorin e ndërtimit dhe rikonstruksionit për t’i bërë ndërtesat më efiçente nga ana energjetike janë trajtuar nga Z. Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv pranë Akademisë së Studimeve Politike. Ai ka listuar mundësitë e lehtësimit ekonomik nga programet e zbatuara prej Bashkive, ka folur për ESCO-të (kompanitë që ofrojnë shërbime në sektorin e energjisë) dhe kompanitë audituese si sektor fitimprurës. Nga ana tjetër, “Fondi Kombëtar për Efiçencën e Energjisë është një mjet i cili do të mund të përdoret nga bizneset që punojnë në fushën e ndërtimit për të gjetur mundësi financimi. Fondi nuk është ende funksional për shkak të vonesave në miratimin e akteve nën-ligjore.” – është shprehur ai.

Nga përfaqësuesit e biznesit u paraqitën propozime për përmirësimin e akteve nën-ligjore, vendosjen e normave dhe masave me qëllim përmirësimin e infrastrukturës së konsumatoreve dhe lehtësimin e punës së ndërtuesëve. Rekomandimet e dhëna janë mbledhur nga përfaqësuesit e pushtetit qendror për tu shqyrtuar.

Ky takim organizohet nga EcoAlbania në kuadër të projektit “Së bashku – një sy për mjedisin” dhe mundësohet financiarisht nga Ambasada Suedeze nëpërmjet programit SENiOR-II i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit – REC Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *