Edukim mjedisor me të rinjtë në Lëpushë

Lëpushë, Shkodër, Gusht 2017. Për herë të tretë këtë vit, EcoAlbania ishte pjesë e shkollës verore të mbajtur në Alpet e Shqipërisë, organizuar nga Balkan Peace Park Project. Gjatë pesë ditëve të shkollës verore në datat 14 deri më 18 gusht, EcoAlbania ishte në Lëpushë duke zhvilluar orë mësimore me fokus edukimin mjedisor me të rinjtë e zonës.

Gjatë këtyre ditëve u trajtuan tema mjedisore aktuale dhe të prekshme për zonën. Të rinjtë ishin të grupmoshave të ndryshme, duke i bërë orët mësimore dhe programin në tërësi më interaktive dhe intersante. Shqetësimi i tyre për mirëqënien e zonës ku banojnë dhe dëshira e tyre për ta zhvilluar atë ishte e dukshme. Kur dëshira dhe vullneti vjen nga të rinjtë është shenjë shpresëdhënëse për të ardhmen.

Që prej ditës së parë u krijua një atmosferë e gëzueshme komunikimi midis përfaqësuesëve të EcoAlbania dhe nxënësve. Bashkëbisedimi dhe shkëmbimi i eksperiencave në fushën e bashkëjetësës me mjedisin dhe mbrojtjen e tij solli në fund të çdo dite një hap përpara në të kuptuarit e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës.

Ekosistem ne miniature, punuar nga nxenesit ne oret edukimit mjedisor. (c) I. Angoni/EcoAlbania

Nxënësit e grupmoshës 16-20 vjeç sollën disa ide interesante në klasë. Temat që u trajtuan me ata ishin të prekshme dhe informacioni që ata kishin ishte mjaft i gjerë. Nga ana e vullnetarëve të EcoAlbania u shpjeguan praktikat më të mira të përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe ruajtjes së ujit, tokës, pyllit, biodiversitetit, etj.

Një orë e veçantë iu dedikua gjithashtu strategjive për ruajtjen e natyrës. Këtu vëmendja ishte e madhe nga ana e këtij grupi nxënësish. Ata patën mundësinë të shkëmbenin eksperiencat e tyre dhe të tregonin se çfarë ata do të bënin për mbrojtjen e natyrës në zonën ku jetojnë. Biologët e EcoAlbania u shpjeguan atyre praktikat që kanë dhënë rezultatet më të mira në mbrojtjen e natyrës, duke vënë theksin në përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Një temë tjetër e prekur e cila ngjalli shumë interes ishte krijimi i vendeve të reja të punës në zonë duke mbetur gjithmonë miqësorë me mjedisin. Me ndihmën e EcoAlbania, u qartësuan disa ide për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, vizionin për të ardhmen me sytë nga mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimin e eko-turizmit si një mundësi punësimi për të rinjtë.

Ndërkohë që me grupin e nxënësve të rritur zhvilloheshin mësime teorike, metoda praktike dhe temat organizoheshin në formën e shkëmbimit të eksperiencave, me grupmoshën prej 7-13 vjeç, edukimi mjedisor u zhvillua me anë të lojërave krijuese. Krijimi i një ekosistemi në miniaturë ishte shumë emocionues për ta. Aty mësuan ndërveprimin e pjesëmarrësve të ndryshëm të ekosistemit me njëri-tjetrin dhe rëndësinë e çdo përbërësi të tij. Imagjinata e tyre dhe puna në grup ishte mahnitëse. Krijimi i një freskoreje me shtresat e Tokës, njohja e zonës ku ata jetonin duke bërë ecje në natyrë, ishin disa nga aktivitetet në të cilat ata u përfshinë.

Gjithashtu, një ditë tjetër shumë zbavitëse dhe edukative për ta ishte krijimi i një dhomëze për të ushqyer shpendët duke përdorur materiale të riciklueshme. Aty mësuan strategjinë 3R dhe se si mund tu jepet një jetë e dytë materialeve të cilat i kanë përdorur tashmë në shtëpitë e tyre.

Në përfundim të këtyre pesë ditëve, të gjithë u larguam me një bagazh me vete. Ne, të EcoAlbania me buzëqeshjen dhe kënaqësinë që vetëm puna edukuese me të rinjtë të jep, dhe nxënësit me mësime të rëndësishme praktike që do tu shërbejnë në jetën e përditshme.

Artikull nga Ita Angoni/ EcoAlbania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *