EcoAlbania nisi Turin e Forumeve “Fushata e Vjosës- frymëzim për aktivizmin” në Ballkan

Që nga krijimi i saj në dhjetor 2014, EcoAlbania ka zbatuar fushatën për mbrojtjen e lumit Vjosa, që synon ndërgjegjësimin e publikut për vlerat ekologjike të lumin të Vjosës, dhe mbrojtjen e saj nga planet për ndërtimin e HEC-eve.

Falë përvojës së këtyre 8 viteve të fundit EcoAlbania vjen me projektin “Fushata për Vjosën – frymëzim për aktivizmin në Shqipëri” për të ndarë këtë eksperiencë me OJF-të kombëtare dhe rajonale si një nga aktorët kryesor në ndërmarrjen dhe drejtimin e fushatave për mbrojtjen e natyrës. Në kuadër të tij nisi turin e forumeve në shtetet fqinje, me te cilat bashkepunimi mund te jetë shume i forte për çështjet mjedisore që na prekin të dyja palëve.

Forumi i parë u zhvillua më 29 prill 2022 në Tiranë në ambjentet e Heinrich Böll Foundation. Pjesmarrës në takim ishin 12 organizata të shoqërisë civile, një përzierje midis aktivistëve, të rinjve të cilët synojnë të rrisin njohuritë e tyre dhe personave të cilën kane investuar vite në mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.

Gjatë takimit u fol rreth fushatës “Të shpëtojmë zemën blu të Evropës” – Rasti i Vjosës, duke shpjeguar hapat e ndërmara nga grupi i organizatave partnere në ketë fushatë. Olsi Nika, drejtori ekzekutiv i EcoAlbania-s dha një panoramë të plotë të sfidave dhe sukseseve të fushatës duke u ndalur veçanërisht në marredhenien me median dhe betejën ligjore. Me pjesmarrësit u ndanë gjithashtu edhe 2 manuale praktike: “Mjetet ligjore për të ngritur një strategji litigimi” dhe “Teknikat për të rritur ndërgjegjësimin nëpërmjet medias”, për tu ardhur në ndihmë gjatë fushatave të tyre.

Në përfundim të aktivitetit u mbajt nje diskutim i hapur në formën e bashkebisedimit gjatë të cilit u bënë pyetje dhe sugjerime si mund të përmirësohemi të gjithë së bashku në nismën për të mbrojtur natyrën.

Takimet e ardhshme do të organizohen në Malin e Zi, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqi duke nisur nga Mali i Zi më 2 Maj 2022.