Dita ndërkombëtare e biodiversitetit

Dita ndërkombëtare e biodiversitetit (22 Maj), kishte në fokus këtë vit zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo ditë e veçantë e kalendarit mjedisor u festua me nxënës të shkollës 9-vjeçare në Selenicë. Rreth 50 nxënës të grup-moshës 13-15 vjeç morën pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të fushatë “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Që në fillim ndërveprimi midis nxënësve dhe nesh ishte shumë i mirë. Nëpërmjet prezantimeve me foto të ndryshme nga flora dhe fauna e luginës së Vjosës, ne synonim të shpjegonim kuptimin e fjalës bidiversitet dhe njëkohësisht të rrisnim ndërgjegjësimin duke ndarë me ta informacionin mbi biodiversitetin e pasur të kësaj zone. Duke njohur vlerat e biodiversitetit ata mund të mësojnë konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Shumë pak njihet lidhur me biodiversitetin e lumit Vjosa dhe specifikisht në kurrikulën e shkollës nuk trajtohet fare. Për këtë arsye ne organizuam këtë aktivitet informues dhe edukues me nxënësit e Selenicës. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të rrisnim ndërgjegjësimin lidhur më biodiversitetin e pasur të kësaj zone dhe të ndikonim nëpërmjet nxënësve të prindërit dhe miqtë e tyre. Mënyra më e mirë për të theksuar rëndësinë e biodiversitetit është duke sjellë shembuj se si speciet janë të lidhur më habitatin dhe me njerëzit. Ne përdorëm filma të shkurtër për të treguar rolin e veçantë që ka çdo specie në ekosisteme dhe si ato janë të lidhur me njerëzit.

Loja e fundit që u zhvillua ishte poema vertikale e fjalës biodiversitet dhe nxënësit duhet të gjenin sa më shumë fjalë dhe koncepte nga natyra e mjedisi, për çdo shkronjë të kësaj fjale. Nxënësit ishin shumë entuziastë dhe gjetën shumë fjalë për çdo shkronjë dhe disa nga fjalët e gjetura ishin emra të llojeve bimore e shtazore të luginës së Vjosës. Kjo lojë ishte një nga indikatorët më të mirë për të matur ndikimin e këtij aktiviteti dhe njohuritë që ata morën.

Së bashku me vullnetarët ne mundësuam një ditë të gëzueshme, plot me motivim dhe energji pozitive. Nxënësit ishin shumë aktivë dhe morën pjesë në të gjitha pjesët që nga prezantimi deri te lojërat e zhvilluara. Ne u entuziazmuam nga interesi i madh dhe niveli i dijeve të tyre për florën dhe faunën e zonës së tyre. Për t’u admiruar është fakti që ata janë të ndërgjegjshëm për rolin e tyre si aktorë të rëndësishëm për të ardhmen e mjedisit ku ata jetojnë.

Nga Besjana Guri/ EcoAlbania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *