Dita e llojeve të kërcënuara

Sot është një ditë e veçantë në kalendarin mjedisor, 15 maji përkon me ditën e llojeve të kërcënuara. Fatkeqësisht numri i llojeve të kërcënuara është shumë i madh, si pasojë e shkatërrimit të habitateve, ndikimit të njeriut, politikave të gabuara etj.

Sot është momenti i duhur për t’i kushtuar vëmendje të veçantë dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut lidhur me llojet e rrezikuara. Po çfarë janë llojet e kërcënuara? Sa lloje të tilla kemi në Shqipëri?

Llojet e kërcënuara sipas IUCN (The International Union for Conservation of Nature), janë ata lloje te cilat janë të predispozuara që të zhduken nga habitatet e tyre natyrore në të ardhmen e afërt. Ata ndahen në 3 kategori: i ndjeshëm (Vulnerable – VU), i rrezikuar (Endangered – EN), në rrezik Kritik (Critically Engangered – CR). Sipas Listës së Kuqe të Shqipërisë, miratuar nga Ministria e Mjedisit në Shtator 2013, janë 575 lloje të florës dhe faunës të kërcënuara sipas kategorive të IUCN-së.

Kali i qyqes (Neophron percnopterus). (c) E. Loçe

Ndër to është edhe Kali i qyqes (Neophron percnopterus) të cilit ia dedikojmë këtë ditë. Ky lloj është një ndër 23 llojet e shkabave dhe është i përhapur në Evropën jugore, në pjesën lindore dhe qendrore të Azisë, në veri të Afrikës, në Arabi, Tanzani, Angola etj. Ata mund të jetojnë  në zona bregdetare, savana, fusha të hapura, pyje dhe fshatra. Në Shqipëri individët e këtij lloji numërohen me gishtat e dorës.

Kali i qyqes është një shpend kërmangrënës folezues me trup mesatarisht të madh. Përgjithësisht është i bardhë në të verdhë më bordura të zezë në krahët e gjatë. Silueta në fluturim është karakteristike, me bisht trekëndor të mprehtë, me kokë të vogël dhe sqep të ngushtë e të gjatë. Krahët janë relativisht të gjerë e me “gishtërinj” dhe mjaft të gjatë. Ngjyra e verdhë dhe lëkura e zhveshur në kokë duket në largësi. Të rinjtë me ngjyrë kafe të errët, me kalimin e kohës ky puplim kthehet kthehet në kafe të errët, duke humbur dalëngadalë dhe kontrastin. Është shkaba më e zakonshme në Shqipëri, më e zakonshme në jug sesa në veri.

Folezon e vetmuar në shkëmbinj të zonës malore kontinentale (Sarandë, Gjirokastër, Tepelenë, Skrapar, Tiranë, Peshkopi etj) por edhe në bregdetin e Jonit (Llogora – Çikë). Lëshojnë 1-3 vezë në fillim të prillit. Ngrohja zgjat 42 ditë. Të vegjlit arrijnë fluturimin pas 2-3 muajsh (Bino et al, 2006).  Maturohen seksualisht në vitin e gjashtë të jetës së tyre. Të dy prindërit kujdesen që t’i sjellin ushqim të vegjëlve deri kur ata bëhen të aftë për të fluturuar. Jetëgjatësia e tyre në kushte natyrore shkon nga 30-37 vjet.

Numri i këtyre shpendëve është ulur në mënyrë drastike për shkak të helmimit (duke qenë se ata ushqehen me kërma të cilat mund të përmbajnë helme të ndryshme si plumbi, pesticide etj), sëmundja e lisë së shpendëve. Në Shqipëri problem për këto shpend ka qenë edhe gjuetia nga barinjtë që i gjuajnë nga padituria të cilët i konsideronin si kërcënim për tufat e bagëtive.

 Nga Earta Nuna/ EcoAlbania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *