Bumi i HEC-eve kërcënon lumenjtë e fundit të “egër” të Evropës

Kronikë, Top Channel

Gazeta prestigjoze “The Guardian” jep alarmin se ndërtimi i mijëra hidrocentraleve po vë në rrezik lumenjtë e Ballkanit dhe ekosistemet përreth tyre.

Përmes një shkrimi investigativ, gazeta publikon një sërë dokumentash të institucioneve të specializuara, që japin alarmin se mbi 2 mijë diga në ndërtim mund të kenë impakte shkatërruese në mjedisin e rajonit.

Sipas “The Guardian”, në vitet e fundit institucionet financiare të Perëndimit kanë financuar miliona dollarë për ndërtimin e digave në Ballkan, si ndihmë për të nxjerrë rajonin nga kriza energjitike.
Por impaktet në mjedis duket se po çojnë në rishikimin e kësaj politike. Në artikull gazeta britanike i kushton një hapësirë të gjerë Shqipërisë, ku janë ndërtuar ose janë në proces ndërtimi qindra hidrocentrale, madje dhe në zona apo parqe të mbrojtura.

Lumi Vjosa, Tepelenë. (c) A. Guri

“Në lumin e Vjosës po tentohet të ndërtohen 8 diga nga kompani të huaja. Qeveria shqiptare po përpiqet në mënyrë private t’i rezistojë këtyre tentativave”, shkruan ajo, duke cituar kryeministrin Edi Rama të thotë se, në 6 muajt e parë të detyrës nuk kalonte ditë në zyrën e tij pa marrë një telefonatë nga kompani shqiptare, europiane apo amerikane që kërkonin të ndërtonin hidrocentrale në Shqipëri.

Ndërsa ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri deklaron se duket sikur të gjithë duan të ndërtojnë nga një digë në Shqipëri. “Institucionet financiare ndërkombëtare nuk kanë qenë në përgjithësi aq të kujdesshme sa do të kishin qenë nëse këto projekte do të ndërtoheshin në oborret e tyre”, citon gazeta kryeministrin Rama, i cili e quan këtë si “kursi i vendeve të varfëra”.

Sipas “The Guardian”, shefi i qeverisë në Shqipëri i ka kërkuar disa prej këtyre instutucioneve, si BERZH, që të financojnë ndermarrjet e vogla bujqësore në vend të hidrocentraleve, por ato hezitojnë.


“Në Kalivac, një digë arriti në stad të avancuar para se polemikat të ndalnin progresin e saj, duke lënë pas një kaba të madhe betoni në brigjet e lumit”, shkruan gazeta, duke cituar edhe specialistë të zonës të thonë se projekti i HEC-it të Kalivacit ka shpyllëzuar 56 hektarë dhe se ndërtimi i tij mund të shndërrohet në një kërcënim për gjithë rajonin.

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *