Banorët e Selenicës në mbështetje të idesë Vjosa Park Kombëtar

Në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, EcoAlbania organizoi takimin e fundit të turit të takimeve me komunitetin e luginës së Vjosës. Në Selenicë, morën pjesë rreth 80 banorë, përfaqësues të shoqërisë civile, inspektoriatit të mjedisit, Vlorë, medias kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky takim i mbajtur më 13 mars 2013, është pjesë e një serie takimesh që janë zhvilluar përgjatë gjithë luginës dhe synon të informojë grupet e ndryshme të interesit brenda komunitetit vendor dhe më gjerë mbi vlerat që mbart lumi Vjosa dhe pellgu i tij ujëmbledhës si dhe kërcënimet që i kanosen.

Pas fjalës së mirëseardhjes nga përfaqësuesi i Bashkisë Selenicë Z. Margariti, të pranishmit u njohën  me të dhënat e fundit të studimeve mbi biodiversitetin, duke ndaluar tek disa lloje të veçanta si dhe në projektet  energjetike të planifikuara dhe të përfunduara përgjatë Vjosës dhe tributarëve tij. Pjesëmarrësit gjithashtu u njohën me fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evroipës”, ndërmarrë nga EcoAlbania dhe partnerët ndërkombëtar Riverwatch dhe Euronatur për të mbrojtur këtë pasuri natyrore. Alternativa që propozohet është Vjosa Park Kombëtar, si një mundësi e mirë zhvillimi edhe për komunitetin lokal përgjatë luginës së Vjosës. Urlich Einchelmann, koordinatori i fushatës, thekson rëndësinë e lumit të vetëm të egër të Evropës.

Gjate takimit ne Selenice. B. Guri/ EcoAlbania

Pasi u njohën me vlerat dhe kërcënimet që i kanosen lumit të tyre, të pranishmit shfaqën interes dhe shprehën gatishmërinë e tyre për mbështetur idenë e një Parku Kombëtar. Shumë prej tyre morën fjalën dhe përkrahën nismën tonë për të mbrojtur Vjosën. Diskutimet e tyre ishin shumë emocionale dhe buronin nga thellësia e zemrës. “Ne nuk kemi mundësi t’i çojmë fëmijët në plazh dhe Vjosa ishte mundësia më e mirë. Mirëpo lumin e kanë dëmtuar duke e gërryer për inerte dhe tani kemi frikë t’i çojmë fëmijët pasi ka pasur raste që shumë fëmijë janë mbytur. Ne jemi gati t’ju mbështesim në nismën tuaj për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar”, shprehet Valbona Rrapaj, mësuese në shkollën 9-vjeçare Selenicë.

Petrit Isufi, mësues histori-gjeografie në këtë zonë thotë: “Në këtë zonë ka qenë një pyll i madh ku ne organizonim piknik dhe aktivitete të ndryshme, por tani pylli është prerë. Ju lutem na ktheni ato mushkri që ka pasur Vjosa dikur”.

Të rrëmbyer nga entuziazmi i krijuar dhe nga dëshira për të thënë fjalën e tyre ata ngritën zërin dhe protestuan për pak minuta, për Vjosën Park Kombëtar. Mbështetja e tyre na bën më të vendosur për të përmbushur deri në fund misionin tonë.

                                                                                                                                Nga: Earta Nuna/ EcoAlbania

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *