Banorët e fshatit Picar në Tepelenë kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentalit

Picar, 28 Qershor 2020. Përfaqësues të EcoAlbania-s të ftuar nga banorët e fshatit Picar, u mblodhën në një takim për të diskutuar mbi çështjen e hidrocentralit që planifikohet të ndërtohet në këtë fshat si, dhe mundësitë për ta kundërshtuar këtë projekt. Bazuar në eksperiencën e saj me fushatën për mbrojtjen e luginës së Vjosës, EcoAlbania synon të mbështesë çdo komunitet të prekur nga projektet e hidrocentraleve duke kontribuar në informimin dhe motivimin e banorëve për të vazhduar betejën e nisur për mbrojtjen e lumenjve.

Hidrocentrali në zonën e Picarit prek 2 degët e lumit të Bënçës duke planifikuar shfrytëzimin e ujërave të përroit të Nivicës dhe Gurrës, të cilët bëjnë pjesë në basenin ujëmbledhës të lumit Vjosa. Nga ky projekt do të ndikohen drejtpërsëdrejti banorët e dy fshatrave, Picar dhe Humelicë pasi të dy përdorin ujin e lumit për qëllime bujqësore, për blegtori, ujë të pijshëm etj. Rreth 500 ha tokë pritet të ngelin pa vaditje nga ndërtimi i këtij hidrocentrali. Hidrocentrali, në lumin e Gurrës jo vetëm që do të shkatërrojë tokat, por do ndikojë edhe në ekonominë e zonës duke varfëruar banorët e fshatit.

Banorët shprehen se kompania ndërtuese ka realizuar takime individuale private me një numër të vogël banorësh në fshat dhe jo në mënyrë publike dhe pa prezencën e përfaqësuesve të administratës. “Ne nuk kemi asnjë informacion për projektin dhe nuk dime çfarë të bëjmë” u shpreh njëri nga banorët. Banorët kanë firmosur një peticion me rreth 600 firma për kundërshtimin e ndërtimit të këtij hidrocentrali.

Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania-s informoi banorët mbi procesin e aplikimit dhe miratimit për dhënien e lejes së ndërtimit të hidrocentraleve dhe të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces. Ajo çka i sugjeroi ai banorëve ishte rezistenca e tyre edhe në rrugë ligjore për të bërë të mundur anullimin e kontratës së koncensionit për HEC HYDROTEC 2.