Artistët shqiptarë bashkohen në një këngë për të mbrojtur lumenjtë e Shqipërisë

Kënga e gjelbër “Lum Lumi i Lirë“!

Kënga e gjelbër “Lum Lumi i Lirë” përpiqet të kontribuojë pro kauzave në mbrojtje të lumit Valbonë dhe lumit të fundit të egër në Europë, Vjosës.

Muzikantë, producentë, muzikologë, historianë e artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë: Elina Duni, Eda Zari, Linda Rukaj, Rhani Krija, Vlashent Sata, Emiljano Dhimo, Shpat Deda, Gert Kapo, Henning Jung, Kleidi Eski, Sokol Çunga, Mikaela Minga, të gjithë së bashku, bashkëpunuan për të realizuar këngën dhe videon “Lum Lumi i Lirë“. Kjo këngë (një nismë e dyshes Duni – Zari) lindi si nevojë për përhapjen e informacionit mbi padrejtësitë sistematike që po u bëhen lumenjve, natyrës, si dhe për të mbështetur zërin protestues të banorëve pranë zonave të këtyre lumenjve.

Njëkohësisht, kënga vlen për të fuqizuar ndërgjegjësimin e çështjes në mbarë shoqërinë tonë.

Muzika është e gjithëpranishme dhe gjithëpërfshirëse në jetën tonë. Ajo stimulon kënaqësi në tru dhe në gjendjen emocionale. Sidomos kënga është përherë e pranishme në të përditshmen e gjithkujt. Muzika, kënga, nuk është vetëm medium argëtues apo element që na mbledh për t’u dëfryer. Kënga është një mjet i shkëlqyeshëm efektiv, përmes të cilit transmetohet informacioni mbi çështjet e natyrës dhe ç’po ndodh me të, mbi jetën apo problemet sociale. A mund ta ndryshojmë botën me një këngë? Jo, por një këngë ndryshon botëzën dhe perceptimin e secilit prej nesh!

Një këngë solidarizon, frymëzon, shpëton, fal shpresë. Shqetësimet dhe vullneti për të krijuar një këngë-protestë rrjedhin nga niveli i vetëdijesimit për atë të keqe të pakthyeshme që po ndodh në Valbone, në Vjosë, apo ajo që po ndodh me ujin, ajrin, natyrën, tokën shqiptare, por edhe për natyrën e gjithë botës. Kjo këngë jep “ZA” për shërim, i piskat publikut, për t’i lënë secilit thellë një jehonë vetëdijeje.

Tek “Lum Lumi i Lirë” artistët me vetëdije morën nismën jo vetëm për të prodhuar muzikë, jo vetëm për t’i mëshuar thirrjes: “S’duam tuba, s’duam diga, s’duam pengesa edhe prita, duam çdo njeri i mirë të thërrasë: Lum Lumi i Lirë!”, por krijuan një këngë që ka një qëllim edhe më të epërm: Ku ka lumenj, ka gjithmonë arsye për të ndërtuar ura mbi të cilat ecim dhe përqafojmë hallet e njëri–tjetrit. Është një përpjekje për të bashkuar dhe solidarizuar aktivistët, shoqatat, si ato pro Valbonës dhe Vjosës, por edhe cilindo individ që punon e shqetësohet për ekzistencën dhe vlerat e shoqërisë sonë. Nga ana tjetër, kënga dëshiron të shpërndajë mesazhin se nuk ka natyrë, lumë, ajër, tokë që të trajtohet si një i nënës e një i njerkës. Në mënyrë të pa partishme dhe vetëm duke bërë përpjekje të përqendruara, por të bashkuar, mund të mposhten vendimmarrësit e gabuar dhe planet e tyre fatkeqe. A do të mundemi të ndërgjegjësohemi për një të vërtetë të madhe se, as në një të ardhme të afërt, por as të largët, kurrë, s’ka për të pasur një Shqipëri të dytë me këtë natyrë si kjo që kemi? Prandaj ejani ta mbrojmë. Ky është apeli i artistëve si vullnetarë, qytetarë, kolegë, bashkëkombës, mbi të gjitha si NJERËZ.

 Fuqia e muzikës për ngritjen e vetëdijes.

Mos harro të thërrasësh: Lum Lumi i lirë!

[one-half-first]

Lum Lumi i lirë! ( Lirika)

O Valbonë me Shtojzovalle,

që këndon tek zbret ndër male,

ujin duan të ta shterin,

shtratin duan të ta bjerrin.

O moj Vjosë valë-valë,

zonjë e rëndë, ti zonjë e rrallë,

vrullin duan të ta presin,

trupin duan të ta shesin.

Lumi qante lumin, ti dhe unë nuk bzajmë

ç’qe ky fat hajdut që na zhvat nam e nishan.

(Refren) S’duam tuba, s’duam diga,

s’duam pengesa dhe prita.

Duam çdo njeri i mirë të thërrasë:

Lum Lumi i Lirë!

Lumi vajton lumin, Valbonë shtatdhunuar,

si në përrallë murosur o nuse gji zbuluar.

Thellë në shtrat o Vjosë zë rrënjë betonimi,

kujë, mall e qumësht, si në legjendë murimi.

Kush është sot vërtetë shqiptar

Shqipen s’e nxjerr në pazar, por thotë:

“Mos vendos për mu, diga mbi lumenj nuk du!”

————————————————————–

Music by: Elina Duni & Eda Zari © reserved by Duni & Zari

Lyrics by: Sokol Çunga & Eda Zari

Produced by: Henning Jung, Gert Kapo, Rhani Krija – Cologne / Germany.

Visuals & Video: Concept & Video produced by Kleidi Eski / Light & Moving Prod.

Vocal: Elina Duni, Eda Zari, Linda Rukaj, Vlashent Sata, Shpat Deda

All percussions: Rhani Krija Piano, Fender Rhodes: Gert Kapo Drums: Emiljano Dhimo Bass: Henning Jung Mixing and Sound: Henning Jung Arrangements: Gert Kapo

Visit all artists @ FB, Youtube, Soundcloud, Instagram

Foto by Kleidi Eski

Teksti për njoftimin për shtyp nga Eda ZARI