30 shkencëtarë studiojnë degët e Vjosës, të dhënat do përdoren në gjyqet kundër HEC-eve

Tepelenë, Vjenë, Radolfzell, 3 qershor 2021. Nga 30 maji deri më 5 qershor, një grup shkencëtarësh nga Austira, Gjermania, Shqipëria dhe Italia, kanë mbledhur të dhëna multidisiplinare në dy degë kryesore të Vjosës, në Shushicë dhe Bënçë.  Kjo javë kërkimore është vazhdimi i një nisme të njëjtë të ndërmarrë në Vjosë në vitin 2017, e cila kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në suksesin dhe në ruajtjen e vlerave ekologjike të Vjosës, duke e mbrojtur nga projektet e hidrocentraleve dhe përcaktimin e saj si një zonë e mbrojtur.

Gjatë kësaj jave kërkimore të organizuar nga dy shkencëtarët kryesorë Prof. Fritz Schiemer (Universiteti i Vjenës) dhe homologu i tij shqiptar Prof. Aleko Miho (Universiteti i Tiranës), shkencëtarët kishin qëllim të ngjashëm: Ndërsa kërcënimi i hidrocentralve në Vjosë është ndalur për momentin, degët e saj kryesore janë ende nën sulm. Pesë HEC-e janë parashikuar në Shushicë, ndërsa Bënça kërcënohet nga jo më pak se tetë HEC-e.

Shkencëtarët shpjegojnë, se për të mbrojtur Vjosën, është jetike edhe mbrojtja e degëve të saj, pasi unikaliteti i saj qëndron në mbajtjen e degëve të saj të paprekur dhe të gjithë sistemit lumor.

“Nëse shkatërroni degët e saj, Vjosa do të shkatërrohet gjithashtu, ashtu si trungu i një peme i cili vdes përfundimisht nëse pritni gjithë degët e saj“, thekson Fritz Schiemer.

Për të treguar vlerën e këtyre degëve piktoreske, kërkimi multidisiplinar është thelbësor. Kështu, u deshën 30 ekspertë nga disiplina të ndryshme për të pasur një pasqyrë gjithëpërfshirëse: hidromorfologë, botanistë, algologë, specialistë të invertebrorëve ujorë dhe tokësorë, iktiologë, ornitologë, herpetologë, ekspertë të proceseve të vetë-pastrimit dhe ekologë të ujërave nëntokësore.  Shkencëtarët nuk kursyen përpjekjet e tyre për të marrë pjesë në këtë javë kërkimore dhe për të kontribuar në mbrojtjen e këtyre ekosistemeve të jashtëzakonshme.

“Ne ofrojmë edhe një herë mbështetjen tonë për qeverinë e sapo zgjedhur të Shqipërisë në mbrojtjen e rrjetit unik të lumit Vjosa dhe krijimin e parkut kombëtar të lumit të egër të Evropës. Nëse ndërtohet një digë e vetme, mundësia për ta përfshirë atë në Parkun Kombëtar zhduket” thotë Prof. Aleko Miho.

“HEC-et në Shushicë janë aktualisht kërcënimi më i afërt. Së bashku me komunitetet lokale përgjatë lumit dhe OJQ-të, ne jemi të vendosur të ndalojmë këto projekte. Për këtë betejë, të dhënat e mbledhura do të jenë thelbësore,” thotë Dorian Matlija, avokat nga organizata Res Publica.

Shushica dhe Bënça, si dhe degë të tjera që rrjedhin të lira, duhet të bëhen pjesë e Parkut Kombëtar të Vjosës, siç është edhe vizioni i fushatës „Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës“, por për këtë arsye ato duhet të mbeten të pacenuara.  Nëse ndërtohet vetëm një digë, lumi përkatës nuk mund të përfshihet më në parkun kombëtar.  Kjo do të shkatërronte gjithashtu mundësinë ekonomike nga ekoturizmi për komunitetet lokale.