Organizatat e shoqërisë civile reagojnë ndaj vendimit të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat

++Rrëzohen propozimet për ndryshime në ligjin e koncesioneve dhe partneritetin publik privat++

Tiranë, 15 mars 2019. Një grup organizatash të shoqërisë civile kanë reaguar sot në lidhje me mos miratimin e disa propozimeve për ndryshime në ligjin për koncesionet. Me një angazhim mbi njëvjeçar, EcoAlbania në bashkëpunim me organizata mjedisore kombëtare dhe lokale, ekspertë të ligjit emjedisit, ka ndërmarrë nismën për ndryshime në paketën ligjore të koncesioneve për HEC-et.

Pas konsultimeve me aktorë të shumtë, në fillim të muajit shkurt, të këtij viti, ajo dërgoi propozimet e saj për shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” pranë komisioneve parlamentare përgjegjëse për shqyrtimin e projektligjit.Analiza u diskutua në një seancë të vecantë, në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, ku disa prej pikave të propozuara u morën në konsideratë. Komisioni miratoi propozimet lidhur me identifikimin e projekteve koncesionare duke u mbështetur në planet dhe strategjitë kombëtare si dhe disa detajime lidhur me studimin e fizibilitetit. Megjithatë, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, si komision përgjegjës, nuk miratoi asnjë prej tyre, duke mos dhënë asnjë argument konkret.  

Përfaqësues të organizatave mjedisore dhe ekspertë ligjor. Nga e majta: Nihat Dragoti-INCA, Elvana Tivari-eksperte ligjore, Olsi Nika – EcoAlbania, Irena Dule – ekspere ligjore, Res Publica, Xhemal Mato- Ekolëvizja (c) B.Guri/EcoAlbania

Disa prej propozimeve kryesore janë:

  1. Heqja e propozimeve të pakërkuarasi një praktikë tejet e përhapur, e cila nuk garanton cilësi në studimin e fizibilitetit si dhe konkurëncë të drejtë;
  2. Identifikimi i projekteve të mundshme koncesionare/ PPP duhet të bëhet duke u mbështetur në strategjitë, planet apo programet sektoriale e ndërsektoriale të nivelit kombëtar, vendor e ndërvendor;
  3. Detajimi i studimit të fizibilitetit duke ezauruar të gjitha pjesët që ai duhet të përmbajë si pjesë përbërëse të tij, si: analizën teknike, analizën ekonomike e financiare dhe ndikimet mjedisore e sociale;
  4. Përfshirja në tarifën e koncesionit, e pagesës për shfrytëzimin e pasurisë në pronësi të shtetit dhe/ ose personave privatë.

Sot organizatat theksuan edhe njëherë se situata e HEC-eve në Shqipëri është alarmante, pasi janë planifikuar më shumë se 540 hidrocentrale në gjithë territorin e Shqipërisë – një pjesë e konsiderueshme e të cilëve (rreth 39%) në zona të mbrojtura dhe zona me potencial të lartë natyror si lumi Vjosë dhe degët e tij.

“Ne kemi ndjekur rrugët ligjore për të kundërshtuar projektet e HEC-eve në luginën e Vjosës, Osumit, etj. e megjithatë mendojmë se kjo do të ishte një betejë pafund pasi legjislacioni aktual favorizon dhënien e lejeve të reja pa zbatuar standardet më të larta për ruajtjen e mjedisit. Ndaj mendojmë së disa prej rekomandimeve tona do të ndyshonin këtë situatë në të mirë të natyrës dhe komuniteteve lokale”, tha Olsi Nika, Drejtor i EcoAlbania. Kjo edhe në kuadër të skanimit të kontratave koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve, që ka nisur së fundmi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. “Ndryshimet ligjore të propozuara prej prej nesh do të zgjidhnin ngërçet dhe boshllëqet ligjore për këto koncesione, duke evituar më pas edhe procese skanimesh të panevojshme në të ardhmen”, shtoi ai.

EcoAlbania do të vijojë përpjekjet e saj për përcjelljen e zërit të organizatave mjedisore, ekspertëve, përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe banorëve të prekur nga zhvillimi projekteve hidro-energjetike.

Kjo nisëm u ndërmor nga EcoAlbania në kuadër të projektit “AKTIV II- Angazhimi i Komunitetit-Tregues i Integrimit në Vendim-marrje” që zbatohet nga EcoAlbania në partneritet me organizatat lokale Aleanca e Alpeve Shqiptare dhe Argonaut dhe financohet nga LëvizAlbania – për një demokraci të fortë vendore nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim – SDC.