Activities

Mungon Ministria e Mjedisit, shtyhet seanca për HEC Poçem

IMG-20170330-WA0003Seanca e gjyqësore për HEC Poçem, e planifikuar të zhvillohej ditën e sotme është shtyrë pasi përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe AKM nuk ishin prezent. Duke qenë së gjykimi do të bazohet edhe në dokumentet e miratuar nga Ministria e Mjedisit, paditësit kërkuan që në seancën e radhës të jenë prezent përfaqësues të këtij institucioni në mënyrë që të vazhdohet gjykimi.

Ndërkohë përfaqësues te Ministrisë së Energjisë dhe kompanisë konçesionare Kovlu Energy ishin prezent, duke kërkuar të njëjtën gjë. Çështja është çuar në gjykatë nga organizatat mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare Riverwatch, EuroNatur dhe EcoAlbania si dhe 38 banorë të prekur nga ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit.

Në akt-padinë e ngritur prej tyre kërkohet konstatimi si akte administrative absolutisht të pavlefshme të deklaratës mjedisore dhe kontratës koncesionare. Seanca e radhës është planifikuar në datën 13 prill 2017.

Informacion shtesë:

Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë. Ajo rrjedh e paprekur përmes grykave të thella, zallishteve dhe ishujve për rreth 270 km nga malet e Pindit në detin Adriatik. Qeveria shqiptare dhe Kryeministri Edi Rama i ka dhënë dritën jeshile kompanisë turke për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, i cili është planifikuar të ndërtohet në pjesën më të pasur ekologjikisht të lumit të Vjosës.

Fushata “Save the Blue Heart of Europe” synon të mbrojë lumenjtë me vlera më të mëdha natyrore në gadishullin e Ballkanit. Fushata koordinohet nga OJF-të ndërkombëtare Riverwatch dhe EuroNatur në bashkëpunim me organizatat partnere në vendet e Ballkanit, si EcoAlbania në Shqipëri.

Procesi gjyqësor për hidrocentralin e Poçemit është hapur më 2 dhjetor 2016 nga 3 organizatat mjedisore nismëtare të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” dhe 38 banorë të prekur nga ky hidrocentral.

Avokati që përfaqëson paditësit në këtë çështje është Vladimir Meçi, një avokat i specializuar në fushën ligjore dhe praktike. Ekspert në legjislacionin kushtetues, kriminal dhe civil.  Gjithashtu është i specializuar në legjislacionin administrativ dhe zgjedhor.